GJYQTARËT DUAN RRITJE PAGE! Kushtetuesja mbyll dyert dhe shqyrton kërkesën që i përplasi me kryeministrin. Rama: Respekte për SPAK-un

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave për herë të dytë në harkun e tre viteve. Çështja i përplasi me kreun e qeverisë, i cili duke e cilësuar skandaloze ka paralajmëruar se nuk do të heshtë nëse miratohet

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi këtë të martë kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave, për herë të dytë në harkun e tre viteve të fundit.

Seanca ishte planifikuar të zhvillohej publikisht dhe me transmetim të drejtpërdrejtë përmes kanalit të Kushtetueses, por kjo nuk ndodhi . Në përgjigje të interesimit të Ora Neës, Gjykata tha si argument një problematike teknike që po verifikohet.

Përfaqësuesit e Gjyqtarëve të Republikës kërkojnë shfuqizimin si antikushtetues të neneve 1 dhe 2 të ligjit nr. 33/2023, i cili ndryshon ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Kërkesa kundërshton dispozitat që përcaktojnë se paga referuese bazë e gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhet drejtpërdrejt me pagën e Presidentit të Republikës, përmes koeficientit 0.36, si dhe parashikimin që për vitin 2023 kjo pagë të përllogaritet nga data 1 prill, mbi bazën e pagës presidenciale prej 425 mijë lekësh.

Pranimi i kërkesës nga Gjykata Kushtetuese do të sillte rrëzimin e formulës aktuale të llogaritjes së pagave për gjyqtarët dhe prokurorët dhe rrjedhimisht rritje.

Por përsëritja e kërkesës së gjyqtarëve ka nxitur reagimin e ashpër të kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë, përmes një sërë reagimesh, e cilësoi këtë si një praktikë unike, të padëgjuar dhe të papranueshme në historinë e shteteve,

“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave - ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar!

Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësori”, shprehet Rama.

EMISIONET