Gati 1 vit pas arrestimit, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë sot fatin e Erion Veliajt

Gati 1 vit pas arrestimit, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë

Gjykata e Posaçme, gati 1 vit pas arrestimit të tij, pritet të vendosë sot fatin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, nëse dosja do të kalojë për gjykim me themel apo jo.

Në seancën e 2 shkurtit, GJKKO mbylli shqyrtimin paraprak të dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, i arrestuar që prej 10 shkurtit 2025, ndaj të cilit rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për Veliajn 7 muaj më parë dhe e ka dërguar dosjen e tij në Gjykatën e Posaçme. 7 muaj dhe ende nuk është vendosur nëse dosja e Veliajt do të kalojë për gjykim me themel apo jo.

E gjitha kjo për aryse se kryebashkiaku i Tiranës dhe “ushtarët” e tij kanë gjetur pretekste dhe skema nga më të ndryshmet për të shtyrë seancat gjyqësore dhe për të mos u përballur me drejtësinë.

Rasti më i fundit është ai i seancës së 2 shkurtit, ku Veliaj u largua nga salla madje kërkoi dhe përjashtimin e trupës gjykuese.

Madje skema shkoi më tej, duke u bërë dhe më qesharakë. Avokatja e tij tha se nuk e kishte takuar sa duhet klientin e saj në burgun e Durrësit, për shkak se i shkonte shumë fatura e taksisë që po e priste jashtë burgut. Asgjë më shumë, thjesht “cirqet” e Veliajt për të shtyrë gjyqin.

Taktikat e Erion Veliajt dhe avokatëve të tij për të shtyrë seancat paraprake kanë qenë të njëpasnjëshme dhe është përdorur çdo makinacion i mundshëm për të arritur qëllimin.

Në seancën e 19 janarit justifikimi i Veliajt ishte se nuk ishte takuar me avokaten e caktuar nga gjykata, Valentina Teodoresku.

Seanca paraprake për Erion Veliajn e caktuar për t’u mbajtur më 5 janar u shty për shkak se Veliaj dhe mbrojtësit e tij ligjorë nuk u paraqitën në seancë, me pretendimin se furgoni i Burgjeve nuk kishte shkuar në kohë për të marrë Veliajn nga burgu i Durrësit.

Pretendim i cili u hodh poshtë nga Drejtoria e Burgjeve, ku institucioni bëri me dije se Veliaj ishte pritur disa minuta nga furgoni, por kryebashkiaku i arrestuar për 5 vepra të rënda penale nuk kishte shkuar.

Një tjetër taktikë e përdorur nga Veliaj ishte shkarkimi i avokatëve në seancën paraprake të 12 dhjetorit. Erion Veliaj më 12 dhjetor 2025, përjashtoi avokatët Artan Gjermëni dhe Ermir Beta, me pretendimin se nuk arritën dot që ai të mos futej në kafazin e qelqtë. Pas shkarkimit të tyre, Veliajt iu caktua nga GJKKO-ja avokatja Valentina Teodoresku.

Seancat e caktuara në datat, 12 dhe 17 nëntor, si dhe 2 dhe 5 dhjetor u shtynë për shkak se avokatët e Veliajt kërkuan kohë që të njiheshin me aktet hetimore. Akte të cilat avokatët e Veliajt i kanë marrë që prej muajit korrik.

Seanca paraprake, e caktuar më 28 tetor u shty për shkak të taktikave të avokatëve të Veliajt. Seanca paraprake e 21 tetorit u shty për shkak të bojkotit të avokatëve pas arrestimit të avokatit në Elbasan.

Për shkak të bojkotit të avokatëve u shty dhe seanca e paraprake e 10 tetorit. Bojkot i ndërmarrë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqin.

Seanca paraprake, e caktuar më 29 shtator 2025 u shty për shkak se disa nga të pandehurit nuk ishin njoftuar për seancën.

Me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, Erion Veliaj i është shmangur drejtësisë si ata mashtruesit klasikë, me 1001 kleçka, mënyra dhe manovra./CNA

EMISIONET