"Fluturimi Toronto-Tiranë nuk është meritë e një qeverie"/ Bakalli: Diskutohej prej më shumë se 20 vitesh
Fluturimi i parë direkt mes Torontos dhe Tiranës ka ngjallur reagime të shumta, pasi është paraqitur nga qeveria si një sukses i rëndësishëm për Shqipërinë.
Megjithatë, sipas Nador Bakallit nga organizata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, historia e kësaj linje ajrore është shumë më e gjatë dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e viteve të fundit.
I ftuar në emisionin "Drejt" në Ora News, Bakalli u shpreh se realizimi i këtij fluturimi është rezultat i një procesi që ka nisur dekada më parë dhe që ka kaluar nëpër disa faza diskutimesh dhe negociatash.
"Ky fluturim ka vite që planifikohet. Ngërçi kryesor ka qenë siguria në aeroportin e Rinasit dhe garancitë që kërkonin autoritetet kanadeze për kontrollin e dokumenteve dhe udhëtarëve që niseshin drejt Kanadasë."-tha ai.
Bakalli argumenton se ekzistenca e një klime të favorshme biznesi mund të ketë ndikuar në proces, por sipas tij kjo nuk mjafton për ta konsideruar linjën një arritje ekskluzive të qeverisë aktuale.
Ai kujtoi se diskutimet për një lidhje ajrore direkte mes Shqipërisë dhe Kanadasë kanë nisur prej më shumë se dy dekadash dhe kanë kaluar periudha stagnimi dhe rifillimi.
"Ky udhëtim diskutohet që para 23 vitesh. Janë bërë përpjekje në periudha të ndryshme, është lënë pas dore dhe është rikthyer sërish në tryezë. U deshën garanci sigurie, bashkëpunim mes qeverive dhe interes nga kompanitë ajrore që projekti të bëhej realitet."-shtoi Bakalli.
Fluturimi direkt Toronto-Tiranë konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Kanada dhe për lidhjet mes dy vendeve. Megjithatë, debati mbi meritat e realizimit të tij pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim.


