"Rrezikoi k*kën si liberal në Perandorinë Osmane" / Beqiri: Ja pse Ismail Qemali shihej me frikë dhe vlerësim në Stamboll
Një këndvështrim i ri dhe i guximshëm mbi një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare po tërheq vëmendjen e publikut.
Bëhet fjalë për Ismail Qemalin, njeriun që ngriti flamurin e pavarësisë, i cili tashmë vjen i portretizuar si një zyrtar me mendësi thellësisht perëndimore në një libër të ri studimor me titull "Themeluesi", me autor politologun dhe avokatin Evarist Beqiri.
I ftuar në emisionin “Drejt”, në “Ora News, Beqiri zbuloi detaje pak të njohura rreth jetës dhe karrierës së Ismail Qemalit brenda administratës osmane. Libri, i cili gjeti shtratin e krijimit gjatë qetësisë së detyruar të pandemisë së Covid-19, ngre një tezë tepër interesante: pavarësisht një karriere mbi 40-vjeçare në shërbim të Perandorisë Osmane, Qemali mbartte dhe promovonte bindje liberale.
“E kuptoj këtë ndjeshmëri vlonjate dhe e respektoj në fakt. Patjetër që ajo ka ndikimin e saj, nuk mund të mohohet, por do të thoja që ishte dhe... vjen momenti piqen gjërat, krijohen kushtet, rrethanat. Ishte ajo periudha e Covidit, e pandemisë kur kisha më shumë kohë për të reflektuar. Puna ndonjëherë të rrëmben dhe nuk na ngelet shumë kohë për të menduar, për t'i parë gjërat me një këndvështrim tjetër. Ajo periudha e pandemisë më bëri që të ulem dhe të shkruaj. Më bëri që të ulem e të shkruaj, më krijoi atë momentin e qetësisë, të fillimit, të startit se gjithmonë do një start.
Ai kishte një karrierë mbi 40-vjeçare në shërbim të Perandorisë Osmane. Kishte filluar 16 vjeç si përkthyes në Ministrinë e Jashtme dhe kishte ngjitur shkallët e karrierës. Dhe po të lexosh atë që shkruajnë vetë osmanët në CV-në e tij, pra po themi në atë dosjen që kishte për çdo zyrtar të lartë atëherë, kupton se çfarë vlerësimi kishin ata për të. Kupton që aty shkruhej që ky është një njeri me një potencial të jashtëzakonshëm që mund të arrijë majat e shtetit. Dhe realisht i arriti. Mund të bëhej edhe vezir, siç u bë kushëriri i tij në fund të ditës, Ferit Vlora, që është Ferit pashë Vlora, veziri i fundit shqiptar në Perandorinë Osmane. Dhe u bë pikërisht në momentin e largimit të Ismail Qemal Vlorës si një kundërpeshë. Pra siç ishte ajo politika përça e sundo e famshme që e përdorin perandoritë në momente të caktuara edhe brenda vetë familjeve... ishin të dy nga familja Vlora, nga dinastia Vlora. Por, për t'u rikthyer te pyetja juaj, ai ishte vërtet një personazh që kishte lënë gjurmë kudo. Po të shikosh jetën e tij ka lënë gjurmë dhe këtë jo se e kam zbuluar unë. Këtë e kanë zbuluar shumë autorë dhe shumë njerëz që e kanë njohur atë”, u shpreh Beqiri.

