"Do ulet numri i deputetëve"/ Rama: Ligji i ri për referendumet, i realizueshëm brenda këtij sesioni parlamentar

Kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi në Durrës foli për riorganizimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe propozon uljen e numrit të deputetëve.
Ai tha se do të çojnë përpara ligjin për referendumet, i cili mungon, dhe synon që qytetarët të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre mbi reforma të rëndësishme.
Rama bëri me dije se procesi do të zhvillohet gradualisht, nga tani deri në fund të prillit, dhe më pas deri në qershor, duke përfshirë të gjithë zgjedhjet brenda Partisë Socialiste.
Ligji i ri për referendumet pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar, duke i dhënë mundësi qytetarëve të vendosin për çështje kyçe që i prekin direkt.
FJALA E KRYEMINISTRIT:
“Disa reforma të rëndësishme për të cilat duhet të flasim me njerëzit në këtë proces që nisin nga sot deri në fund të prillit dhe më pas deri në fund të qershorit që konsolidohet me përfundimin e të gjithë zgjedhjeve në PS. Kemi folur për riorganizimin e Kuvendit të Shqipërisë, 10 legjislatura kanë hyrë e kanë dalë. Ne do zbresim numrin e deputetëve dhe besoj për këtë ne jemi vonë por prapë kemi të gjithë kohën që t’i thërrasim shqiptarët në referendum dhe ndaj ne do çojmë përpara ligjin e munguar për referendumet sepse ka edhe tema të tjera që duhet ti vendosim përpara shqiptarëve dhe t’i lëmë të thonë se kush eshte me ke… Besoj që ligji i ri për referendumet është i realizueshëm brenda këtij sesioni”


