“Dialogu të përfundojë me njohje”, Begaj: Mbështesim marrëveshjen e Ohrit mes Serbisë dhe Kosovës

Presidenti Bajram Begaj ka vlerësuar marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës të arritur në Ohër. Sipas tij dialogu duhet të vijojë ndërsa prêt që të përfundojë me njohjen reciproke. Në takimin me anëtarët e Kursit të sigurisë ai shtoi se vetë situate gjeopolitike është komplekse dhe mbi të do të vendoset e ardhmja

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti anëtarët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me të cilët foli mbi objektivat strategjike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. duke folur mbi situatën gjeopolitike ai theksoi se mbi të do të përcaktohet e ardhmja

Bajram Begaj: “Situata gjeopolitike globale është komplekse dhe mendoj që kjo situatë komplekse do të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja në dekadat e mëpasshme. Ambienti ndërkombëtar i sigurisë dominohet nga sfidat strategjike që janë të ndërthura me njëra-tjetrën, të cilat kanë sjellë implikime jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për atë ndërkombëtare.”

Duke u ndalur në situatën në rajon, kreu i Shtetit theksoi se Ballkani Perëndimor përfaqëson oborrin parësor të Bashkimit Evropian.

Bajram Begaj: “Ballkani Perëndimor përfaqëson oborrin parësor të Bashkimit Evropian. Rajoni i gjithi ka bërë progres në rrugëtimin euroatlantik, por ka shumë hapësira dhe situata potenciale paqëndrueshmërie”.

Vëmendje Presidenti i kushtoi rëndësisë së vendosjes së dialogut të përhershëm dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe  Serbisë

Bajram Begaj: “Dialog i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën duhet të qendërzohet në atë që ne e quajmë njohje formale reciproke. Arritja e marrëveshjes midis dy vendeve ishte një moment kyç, si dhe po ashtu ngjarja në Ohër e anekseve ishte një arritje që tregon se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e mirë".

Presidenti Begaj foli dhe për kontributin e Shqipërisë në misione të ndryshme në botë duke  vlerësuar angazhimin në Afganistan, Irak, është në Bosnjë, Letoni, Bullgari dhe Kosovë

“Shqipëria ka qenë kontributore, le të themi eksportuese e sigurisë. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë misione ndërkombëtare. Ka qenë në Afganistan, Irak, është në Bosnjë, Letoni, Bullgari dhe Kosovë. Do të jemi të pranishëm kudo do të na kërkohet dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë rrugën tonë për të modernizuar Forcat e Armatosura, jo vetëm me pajisje dhe kapacitete të tjera të nevojshme, por edhe ashtu të mirëtrajtojmë personelin ushtarak”, theksoi Presidenti Begaj.

bajram begaj dialogu kosove-serbi dialogu begaj

EMISIONET