"Dialogu" nis me "Zgjedhoren", Caka për "Ora News": Lista e zgjedhësve, pika e parë që u diskutua. S'ka vullnet për votën e emigrantëve
Grupi i dialogut të konsensusit në parlament tashmë ka nisur diskutimet konkrete për reformën zgjedhore.
Deri më tani ekspertëve u është kërkaur të punojnë mbi listën e zgjedhësve dhe njoftimi mbi qendrën e votimit.
Ekspertja e komisionit njëheraz e radhitur nga opozita, Silva Caka shprehet se një nga propozimet është dhe përdorimi i e-albania.
"Ku njerëzit ditën e zgjedhjeve nuk e gjenin veten në listë dhe shumë prej tyre ndoshta edhe hiqnin dorë nga e drejta që kanë për të votuar dhe ky fenomen pastaj për shkak se nuk u parandalua dhe nuk u mor asnjë masë pavarësisht shqetësimeve të partive politike, nuk u mor asnjë masë dhe kjo u përshkallëzua", tha Caka.
Ndër propozimet kryesore të opozitës do të jenë vota e Diasporës dhe koalicionet. Por sipas Cakës, drafti final do të jetë i përbashkët.
"Drafti i përbashkët do ishte edhe më i mirë, sepse i jep më shumë kohë përfaqësuesve politikë për ta diskutuar dhe për të patur një dakordësi.
Mungon vullneti politik, sepse nuk mungon infrastruktura dhe parashikimet ligjore që përmban vetë Kodi Zgjedhor për ta bërë të mundur votën e qytetarëve shqiptarë me banim jashtë vendit", tha Caka.
Në diskutimet me dyer të mbyllura sipas Cakës, palët do të diskutojnë çdo pikë por baza do të mbetet tek rekomandimet e OSBE-ODIHR.
"Në fakt ne kemi hartuar një draft kalendar që pak a shumë i përmbledh të gjitha rekomandimet e OSBE ODIHR", tha Caka.
Nga ana tjetër burime nga mazhoranca bëjnë me dije se është kërkuar më tepër kohë për të punuar lidhur me pikat që do të kërkojnë për të ndryshuar në Kodin Zgjedhor.



