Reforma territoriale në ngërç, Bici: PS dhe PD pa konsensus për hartën e re të bashkive

Reforma territoriale në ngërç, Bici: PS dhe PD pa konsensus

Reforma territoriale vijon të mbajë të tensionuar skenën politike, ndërsa palët duket se janë larg një konsensusi për ndryshimet që pritet të prekin hartën administrative të vendit.

Në një intervistë për “Ora News”, gazetari Bekim Bici tha se, pavarësisht punës së komisionit të posaçëm për reformën territoriale, aktualisht nuk ka sinjale për një marrëveshje të përbashkët mes forcave politike.

Sipas tij, përfundimi i punimeve të komisionit më 15 korrik nuk nënkupton mbylljen e procesit, pasi ligji kërkon edhe një fazë të konsultimit publik me bashkitë që mund të preken nga ndryshimet.

“Duke iu referuar afateve ligjore, pritet që muaji tetor të jetë periudha më e zhurmshme, pasi atëherë do të zhvillohen konsultimet dhe debatet për ndryshimet e propozuara”, u shpreh Bici.

Debatet politike për numrin e bashkive
Një nga çështjet më të diskutuara është riorganizimi i numrit të bashkive. Ekspertët e Partisë Socialiste kanë propozuar një reduktim të numrit të njësive vendore, ndërsa Partia Demokratike ka shprehur rezerva ndaj mënyrës se si po zhvillohet procesi.

Sipas Bicit, debatet kanë nisur edhe në distancë përmes deklaratave publike dhe reagimeve në rrjetet sociale nga përfaqësues të të dyja palëve.

Mirdita, një nga zonat më të diskutuara
Një nga çështjet që ka shkaktuar më shumë reagime është e ardhmja e Bashkisë së Mirditës. Përfaqësues lokalë dhe politikë kanë kundërshtuar çdo mundësi për bashkimin e saj me një tjetër bashki, duke argumentuar për rëndësinë historike dhe identitetin e zonës.

Nga ana tjetër, përfaqësues socialistë kanë sqaruar se nuk bëhet fjalë për zhdukjen e Bashkisë së Mirditës, por për një rikonfigurim të mundshëm me qëllim rritjen e eficiencës së shërbimeve.

Sipas Bicit, edhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi dhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, janë shprehur se çështja e Mirditës është keqkuptuar dhe se diskutimi lidhet me funksionalitetin e pushtetit vendor.

Vendimi pritet pas konsultimeve
Procesi i reformës territoriale pritet të shoqërohet me debate të forta politike në ditët në vijim, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga propozimet e ekspertëve, konsultimet me pushtetin vendor dhe dakordësia mes palëve.

Në qendër të vëmendjes mbetet nëse reforma do të sjellë një riorganizim të madh të hartës administrative apo do të kufizohet vetëm në ndryshime funksionale të bashkive ekzistuese.

Bekim Bici: Të falenderoj së pari Lili. Së dyti nëse i referohemi kërkesave apo i referohemi edhe asaj le të themi zhvillimeve të bujshme të politikës duket ashtu siç e the dhe ti në nisje që nuk mund të kemi apo nuk do të kemi të paktën në dukje në gjasa një konsensus apo një fryt konsensual nëse mund ta konsiderojmë apo një dalje me një raport të përbashkët nga komisionet që tashmë vijojnë punën ende.

Nuk pritej ashtu siç e kemi thënë në fakt edhe më herët, nuk pritej që të kishte përfundim të komisionit të reformës territoriale brenda këtij sesioni parlamentar. Kjo edhe për shkak se le të themi hapësirat ligjore e pamundësojnë një gjë të tillë.

Kjo për shkak se do të duhet të paktën referuar ligjit përsa i përket ndarjes së re territoriale apo hartës së re që pritet të bëhet le të themi faktike, do të duhet që të ketë një hapësirë kohore prej të paktën dy muajsh konsultim publik me të gjitha bashkitë të cilat preken por edhe ato që nuk preken për të parë çdo lloj ndryshimi apo çdo lloj le të themi efekti që do të ketë pikërisht kjo reformë në mbarëvajtjen e punëve të tyre, në administrimin e pushtetit.

 Kësisoj, nëse i referohemi mbylljes së punimeve të komisionit të reformës territoriale i cili zyrtarisht përfundon me datë 15 korrik, pra data 15 ishte data e fundit e mbylljes së punimeve të komisionit të reformës territoriale përsa i përket afateve ligjore të vendosura që në krye të herës, pra afati 9 mujor për vijimin e punës së këtij komisioni. Por që duke ju referuar kësisoj edhe afateve të tjera ligjore që vendosën përsa i përket konsultimit, pritet që muaji tetor të jetë edhe ai më i zhurmshmi.

Ndonëse tashmë pritet që seanca e së nesërmes, pra e nesërme, por edhe seanca e fundit që pritet të jetë me datë 23, do të ketë debate mes palëve politike, debate të cilat kanë nisur në distancë edhe tani. Edhe sot që flasim, kishte disa reagime nga përfaqësuesit në rrjetet sociale. Në rrjetet sociale të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Kjo për, duke iu referuar edhe raportit paraprak apo ekspertëve edhe asaj çfarë kanë thënë ekspertët e Partisë Socialiste përsa i përket ndarjes territoriale, të cilët kanë kërkuar një farë forme edhe një lloj zvogëlimi të numrit të bashkive.

Por nëse i referohemi, pavarësisht kësaj deklarate, ka dhe deklarata të tjera që vijnë po ashtu nga Partia Socialiste të cilët, të paktën referuar një prej bashkive më të përfolura dhe më të zëshme, të cilat janë ngritur tashmë një farë forme proteste përfaqësuesit lokalë dhe jo vetëm, por edhe përfaqësuesit qendrorë përsa i përket Bashkisë së Mirditës, për shkak të vlerave që kjo bashki në vetvete apo kjo nëse mund ta konsiderojmë krahinë në vetvete apo ky rajon në vetvete mbart, duke kërkuar që të anulohet apo të zhbëhet një gjë e tillë.

E nga ana tjetër vetë socialistët, përfshi këtu edhe Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, i cili ndonëse i lindur dhe rritur në Kukës, origjina e prindërve të tij është nga Mirdita, e nga ana tjetër edhe kreu i Bashkisë së Lezhës zoti Pjerin Ndreu, janë shprehur që është tjetërsuar apo është keqkuptuar ajo çfarë flitet për Mirditën.

Nuk do të ketë një ndryshim të bashkisë, pra një shkrirje të Bashkisë Mirditë me Bashkinë e Lezhës, por do të duhet të ri- le të themi, rikonfirmohet apo rikonfigurohet bashkia për të patur më shumë efektshmëri, për shkak se sipas tyre të paktën, pjesa e shërbimeve çalon shumë në Bashkinë Mirditë. Ndoshta duke i dhënë funksionalitete apo duke i dhënë më shumë ndoshta dhe mbështetje nga ana e pushtetit qendror.

Por mbetet për t'u parë tek përgjigja që do të marrë në fund të fundit në ditët në vijim edhe nga vetë kryetari i komisionit, ose më saktë bashkëkryetari i komisionit të Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, se çfarë duan të thonë me këtë.

EMISIONET