Ndërhyrja e parë shpëton jetë/ Urgjenca Kombëtare demonstron teknikat e shpëtimit në plazh

Ndërhyrja e saktë në sekondat e para mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes.
Në kulmin e sezonit turistik, Urgjenca Kombëtare zhvilloi në plazh një demonstrim praktik për shpëtimin e personave në rrezik mbytjeje dhe dhënien e ndihmës së parë.
Shefi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj, shpjegoi teknikën që duhet përdorur për hapjen e rrugëve të frymëmarrjes.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, theksoi se njohuritë për ndihmën e parë nuk duhet t’i kenë vetëm punonjësit e emergjencës, pasi në shumë raste qytetarët janë të parët që ndodhen pranë personit në rrezik.
Autoritetet u bëjnë thirrje pushuesve të respektojnë masat e sigurisë, të lahen vetëm në zonat e mbikëqyrura nga rojet bregdetare dhe të kërkojnë menjëherë ndihmën e shërbimeve të emergjencës në çdo situatë rreziku.
Vetëm gjatë muajit qershor, gjashtë persona humbën jetën nga mbytja në ujë. Ky bilanc rikthen vëmendjen te nevoja për më shumë vrojtim në plazhe, masa parandaluese dhe njohuri për dhënien e ndihmës së parë.

