DEKRIMINALIZIMI I SHPIFJES! PS: Për gazetarët profesionistë. Tabaku: Duhet për të gjithë

Kuvendi nisi diskutimin e ndryshimeve në Kodin Penal për dekriminalizimin e shpifjes. Socialistët thonë se kjo do të ndodhë vetëm për gazetarët profesionistë, ndërsa rrëzuan një propozim të demokrates Jorida Tabaku që dekriminalizimi të jetë i plotë.

Shpifja për gazetarët do të dekriminalizohet tërësisht, por mazhoranca kërkon përcaktim e saktë se kush është gazetar.

TAULANT BALLA: “A duhet të organizohen dhe bujrum të hartojmë ligjin për profesionin e rregulluar të gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Dhe dua të garantoj sot çdo gazetar se nuk ka vepër penale për shpifje për shkak të detyrës. Por këtu duhet të ndajmë kush është realisht gazetar. Por jo për ata që e vetë-shpallin veten gazetar, vënë një bexh këtu dhe e quajnë veten gazetar”.

Nisma vjen në kuadër të kërkesave të Bashkimit Europian në procesin e anëtarësimit, por opozita kërkon një lexim më të gjerë. Jorida Tabaku propozoi dekriminalizimin e shpifjes në tërësi si pjesë e lirisë së shprehjes.

JORIDA TABAKU: “Ju jeni në dijeni edhe për vendimet dhe rekomandimet që ka marrë Këshilli i Europës. Është vendosur dekriminalizimi i shpifjes, jo vetëm për gazetarët, por ndaj çdo qytetari, si pjesë e lirisë së shprehjes. Pse vjen në këtë komision? Sepse është një prej detyrimeve të grupkapitullit të parë”.

Por mazhoranca duke reflektuar një qëndrim të shpallur të kryeministrit Edi Rama se të zgjedhurit nuk mund të amnistohen nga shpifja, i rrëzoi amendamentet e opozitares, ndonëse e përgëzuan për punën.

ERVIN HOXHA: “Përgëzime për punën, por propozoj të mos miratohet”.

Kur erdhi moment i votimit, Tabaku nuk ishte e pranishme ndërsa socialistët me 8 votat rrëzuan nismën në Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme.

EMISIONET