BERISHA “ZBARKON” NË BRUKSEL! Demokratët intensifikojnë takimet ndërkombëtare para protestës së 22 marsit

Partia Demokratike ka nisur një ofensivë diplomatike në Bruksel vetëm pak ditë para protestës kombëtare. Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së marrin pjesë në aktivitetet e PPE dhe zhvillojnë takime me zyrtarë evropianë. Në fokus janë integrimi, lufta kundër korrupsionit dhe standardet zgjedhore.

Vetëm 4 ditë para protestës kombëtare të 22 marsit, Partia Demokratike zhvillon takime me partitë simotrat lidhur me integrimin dhe situatën politike në vend. 

Nënë përfaqësimin e kryedemokratit Sali Berisha, PD merr pjesë në 50-vjetorin e themelimit të Partisë Popullore Evropiane, event i organizuar në Bruksel, në kuadër të të cilit do të mbahet këtë të enjte, më 19 mars, një Samit i Zgjeruar i PPE-së.

Krahas Berishës, takime në arenën ndërkombëtare po zhvillojnë edhe figura të tjera të larta të PD-së, si kreu I grupit parlamentar Gazment Bardhi, kryetarja e Komisionit të Medias dhe të Drejtave të Njeriut, Jorida Tabaku, si dhe Shefi i organizimit, Klevis Balliu.

Përfaqësuesit e lartë demokratë janë takuar edhe me Zëvendëskryetaren e grupit parlamentar të CDU në Bundestagun gjerman, Patricia Lips.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi thekson se në qendër të bisedimeve ishin standardet që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të integrimit në BE.

BARDHI: “Një diskutim i hapur mbi standardet që duhet të përmbush Shqipëria në procesin e integrimit, ku lufta ndaj korrupsionit dhe zgjedhjet e ndershme qëndrojnë në themel të këtij procesi. Lufta kundër korrupsionit mbetet sfida kryesore që pengon avancimin real të vendit drejt Bashkimit Europian. Një kulturë politike që shndërrohet në mburojë për korrupsionin jo vetëm dëmton besimin e qytetarëve, por edhe bllokon progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit”.

Takime përfaqësuesit demokratë kanë pasur edhe me deputetin Olav Gutting të grupit CDU/CSU.

Sipas Gazment Bardhit deputeti gjerman ka theksuar se Gjermania mbështet integrimin evropian të Shqipërisë, por vendi ynë duhet të bëjë përparim të matshëm në shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

EMISIONET