Berisha: S’kam qenë kurrë “non grata” në SHBA, kam pasur një sanksion për vizën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot për mediet jashtë sallës së Kuvendit, se ai nuk ka qenë kurrë “non grata” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ka pasur vetëm një ndalim hyrjeje.

“U ktheva! Nuk kam qenë kurrë “non grata” në SHBA, ka pasur vetëm një ndalim hyrje. Kam pasur komunikim zyrtar. Çdo shqiptari unë i thashë në parlamentin e Shqipërisë, u ktheva”, u shpreh Berisha.

I pyetur nga gazetarët për detaje mbi komunikimet e pretenduara, ai tha se, “përderisa jam këtu, unë kam pasur komunikim zyrtar. E gjitha çfarë mund t’ju them: unë u ktheva”.

Në lidhje me statusin e tij dhe të familjarëve, Berisha tha se, “Sali Berisha nuk ka qenë kurrë “non grata”. Të jeni të sigurtë”.

I pyetur nëse bëhej fjalë për njoftimin e ish-sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, ai u përgjigj se ndaj tij ka pasur një ndalim hyrjeje për arsye të pretenduara më herët, ndërsa përsëriti se sipas tij nuk ka pasur status “non grata”.

“Nëse do tani, po të them, Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non grata. Ka pasur një sanksion, vizën”, tha ai.

I pyetur nëse mund të udhëtojë lirisht, Berisha u përgjigj se, “kundërshtarët e mi e quajtën non grata dhe unë nuk është se e kundërshtova”.

I pyetur nëse ka qenë një sanksionim për të dhe familjarët e tij për minim demokracie dhe korrupsion, Berisha u shpreh se, “Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non grata. Ka pasur një ndalim hyrje për ato arsye që thua ti në SHBA”.

Në përfundim Berisha përsëriti, “sot unë them: u ktheva. U ktheva”.

PËR MË SHUMË NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE

EMISIONET