Berisha: Rama, i tmerruar! Nuk negocioj me pengjet Basha-Alibeaj. Me Metën, diskutime për modalitetet e koalicionit

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh i prerër në bashkëbisedimin me gazetarët se nuk do të ketë asnjë negociatë mes tij dhe Enkelejd Alibeajt për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit me vulën dhe log të Partisë Demokratike.

“Alibasha është një peng i Ramës dhe duhet ta ketë të qartë çdo njeri që me pengjet nuk negociohet kurrë.

Po të jetë për të negociuar, logjika thotë se duhet negociuar me pengmarrësin, por kjo nuk do ndodhë kurrë ndonjëherë.

Ata që mendojnë se me vulën e plaçkitur të Edi Ramës, mund të bëjnë Pazar me ne, dëshmojnë turpin e tyre.

Ndaj Brava dhe Alibasha janë dy pengje me të cilët nuk mund të ketë asnjë lloj negociate”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati shtoi se Edi Rama është i tmerruar dhe përdori si salvaxhente për të shpëtuar dy pengje të tij, Bravën dhe Alibashën

“Ju e dini se veprimet e Edi Ramës ishin in-ekstremis, të njeriut të tmerruar, që rryma po e çon drejt McGonigalit, dhe që përpiqet të kapet në fije bari si Brava dhe Alibasha.

Edi Rama është i tmerruar dhe përdori si salvaxhente për të shpëtuar dy pengje të tij, Bravën dhe Alibashën.

Unë kam një mirënjohohje të pakufishme për qytetarët e Mallakastrës, të Lezhës, për pritjen e zjarrtë, për reagimin e tyre flakë për flakë ndaj qëndrimit të turpshëm, antikushtetues të një njeriu që ka frikë nga vetja e tij në çdo hap që bën.

Dhe, ndaj dy pengjeve të cilët kanë vendosur standardet më të ulëta të integritetit politik në tërë historinë politike të Shqipërisë post-diktatoriale”, deklaroi Sali Berisha.

Ndërkaq ai theksoi se të gjitha përpjekjet e Ramës dhe McGonigalit me fustan do dështojnë me turp.

“Unë garantoj qytetarët shqiptarë se të gjitha përpjekjet e Edi Ramës, dhe në këtë rast të McGonigalit me fustan, që janë evidente, i ka pranuar vetë, ndërhyrje në gjykatë, do kenë si fund dështimin e turpshëm.

PD është parti që ka një kauzë të drejtë, një kauzë që është njëkohësisht kauza e mbarë shqiptarëve, që duan një Shqipëri demokratike.

PD shkon në këto zgjedhje si një forcë më e lirë në historinë e saj. Për herë të parë ajo shkon me kandidatura të dala me votën e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, pra kandidaturat të lirisë.

Këto janë arsyet e këtij starti entuziast, që do shndërrohet në cunam për të arkivuar monizmin e Edi Ramës dhe shërbimet ndaj tij të Lulzim Bravës dhe Alibashës”, nënvizoi Sali Berisha.

Ai theksoi se me këtë start, kjo do jetë pranvera e ndryshimit të madh.

“Zhvillimi më pozitiv i shoqërisë shqiptare këto këto ditë ka qenë starti entuziast, i fuqishëm i fushatës elektorale të PD-së. Ka qenë reagimi i fuqishëm i qytetarëve në mbarë vendin, ju e patë, Mallakastra dhe Lezha ishin në zenitin e besimit, në zenitin e reagimit, ndaj përpjekjeve primitive, ndaj përpjekjeve të pashembullta në 32 vite të Edi Ramës për të fituar zgjedhjet me fasadë-veglat e tij.

Mund të them se ekziston një klimë e jashtëzakonshme. Edi Rama sikur të mbledhë Bravat dhe Alibashët e Ballkanit, është absolutisht i pashpresë.

Reagimi qytetar është i jashtëzakonshëm. Ajo çka duket është në këtë rast fenomeni i kupës. Me të gjitha aktet e tij, vjedhjet e panumërta, qëndrimet antidemokratike, lidhjet me krimin, me drogën, kupa u derdh me vendimin për të emëruar opozitën që dëshiron, Alibasha-Brava dhe me këtë start, sigurojmë shqiptarët se kjo do jetë pranvera e ndryshimit të madh”, u shpreh Berisha.

EMISIONET