Koalicionet dhe zgjedhjet, Meta dhe Vasili takojnë Berishën në selinë e PD-së: Bashkë për ndryshimin!
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta së bashku me nënkryetarin Petrit Vasili kanë zhvilluar një takim me Sali Berishën në selinë e Partisë Demokratike.
Burimet kanë bërë të ditur se temë e diskutimit janë modalitetet për daljen në koalicionin zgjedhor për 14 majin, ku Meta ka bërë të ditur se do të ketë listë të tijën për këshilltarët në të 61 bashkitë, por duke mbështetur emrat e Berishës për kryetarët.
Pak pas përfundimit të takimit me ish-kryeministrin Sali Berisha në selinë e PD, Ilir Meta theksoi se opozita është e bashkuar për ndryshim në zgjedhjet e 14 majit.
Meta u shpreh optimist sa i takon rezultateve në 14 maj për Këshillat bashkiakë, duke shtuar se ato do të jenë shumica e opozitës.
“Të gjithë opozitarët janë bashkë për ndryshim! Kandidatet e Primareve janë të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm. E kam thënë dhe më parë, nga Tropoja deri në Sarandë, i konsiderojmë kandidatë dhe të Partisë së Lirisë. Shumica dërrmuese e Këshillave Bashkiakë do jetë e opozitës së bashkuar”, tha ilir Meta.
Po ashtu, diskutimet vijnë vetëm një ditë pasi KQZ i dha të drejtën e përfaqësimit fraksionit që mbështet enkelejd Alibeajn, por duke shtyrë vendimin pasi do të duhet që shkresat të kenë firmën e Lulzim Bashës I cili në deklaratat publike ka deklaruar dorëheqjen.