Berisha: Fushata mediatike pa debat një terr i vërtetë për qytetarët, kanë frikë nga ato që kanë bërë
Sali Berisha kërkon që fushata elektorale për zgjedhjet vendore të mos shndërrohet në një garë mes liderëve politikë.
Në deklaratën për media ai bëri thirrje për nisjen përballjeve me debat mes kandidatëve, por megjithatë nuk përjashtoi as mundësitë për një përballje mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Berisha: Unë besoj se transparenca dhe përgjegjësia përpara qytetarëve kërkon në mënyrë imperative debatet në të gjitha nivelet midis kandidatëve që garojnë për kryetar bashkie. Midis këshilltarëve të parë, që garojnë për kryetarë të parlamenteve lokale. Një fushatë mediatike pa debat është një terr i vërtetë për qytetarët shqiptarë, të cilët dënohen të dëgjojnë fjalime të stisura, të mbushura me mashtrime nga rilindësit dhe nuk kanë mundësi për asnjë lloj llogaridhënie, për asnjë lloj transparence.
Refuzimi i debatit ka në bazë krimet e mëdha ekonomike, vjedhjen e madhe të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij vendorë. Ka në bazë vjedhjen e miliarda eurove me tendera në masën 90 përqind në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Refuzimi i debateve televizive ka në bazë transferimin e pasurive, fondeve te familjarë të Edi Ramës dhe në tërësi kryetarëve të bashkive në mbarë vendin. Ky refuzim ka në bazë frikën e tmerrshme nga veprimtaria antiligjore e këtyre përfaqësuesve.
Sipas ish-kryeministrit, abuzimet e qeverisë Rama vijojnë.
Berisha: Origjina e parave për ndërtimin e pallatit në pajë pesëkatësh në sheshin e pallateve në Tiranë. Pallatit famoz për të cilin nuk ekziston asnjë faturë e asnjë lloji përveçse një larje parash e pastër, e qartë. Pra, Edi Rama nuk del dot në debat sepse është i rrethuar nga të katër anët nga muret e krimeve të tij.
Për deklaratat e Ramës në Athinë, ku i cilësoi se shqiptarët dhe serbët kushërinj, Berisha ka një mesazh.
Berisha: Sot, unë këtu dënoj me forcën më të madhe, deklaratën antishqiptare në Athinë të Edi Ramës.Për të justifikuar tradhtinë e tij ndaj kombit shqiptar, ai arrin të shkelmojë mbi qindra mijëra të vrarë nga barbaritë serbë, të quajë gjenocidet serbe si gjenocide të kryera mes kushërinjve.
Sipas Berishës, 14 maji do të jetë dita e dënimit për kryeministrin Rama.