Berisha: Arratisja e Ahmetajt është arratisja e shekullit! Rama nuk flet se e ka porositur vetë
Në mbledhjen me deputetët demokratë, ish-Kryeministri Sali Berisha foli për largimin nga Shqipëria të ish-zëvendësministrit Arben Ahmetaj pas kërkesës që SPAK i bëri parlamentit për t’i hequr imunitetin.
Ai u shpreh se Arben Ahmetaj ka realizuar arratisjen e shekullit.
“Sot ka polemikë në çdo familje, në çdo bisedë: vjedhja e tmerrshme me inceneratorë dhe arratisja e tmerrshme e Arben Ahmetajt. Ju e dëgjuat në fjalën e tij 16-minutëshe, kreu i organizatës kriminale të inceneratorëve, nuk shqiptoi njëherë fjalën arratisje. Ajo për Edi Ramën nuk ka ndodhur, sepse e ka porositur vetë.
Shtetit i arratiset zyrtari i dytë më i lartë i ekzekutivit. Për bosin e organizatës kriminale, kjo nuk ka ndodhur. Ndaj dhe me një paturpësi dhe cinizëm ekstrem, rrahte gjoksin, fliste për drejtësinë me ministrat në arrati dhe nuk fliste për arratinë dhe paturpësinë në një mungesë totale respekti ndaj qytetarëve.
Në një papërgjegjësi të plotë, në një apel të hapur për secilin nga zyrtarët e tij që të arratisen në rast se thirren nga drejtësia. Gjushi meriton një dekoratë që nuk u arratis. Shikoni Gjushin dhe i çonin policinë, që ti thonin të ikte. Por Gjushi nuk iku, pse, e di ai vetë. Kurse ky, i arratiset dhe nuk flet asnjë fjalë, çka do të thotë se ju të tjerët, njëri pas tjetrit.
A ka kjo paturpësi, hipokrizi dhe cinizëm më të madh ndaj shqiptarëve? Afera e inceneratorëve është afera e inceneratorëve, sikundër arratisja e Ahmetajt është arratisja e shekullit”, u shpreh Berisha.
Në vijim, ai theksoi se propaganda qeveritare po synon të fshehë realitetin se bosët e inceneratorëve janë Rama, Veliaj dhe Agaçi
“Sot propaganda e Edi Ramës është sulur e tëra për të fshehur me çdo kusht, përgjegjësit e vërtetë të organizatës kriminale. Sot bëhet gjithçka, që afera qindra milionë euro e plehrave, t’iu atribuohet tre personave: Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalles.
Bëhet gjithçka që të paraqiten këta si truri, si djalli me zile, vetëm për të mbuluar të vërtetën, vetëm e vetëm për të fshehur realitetin se bosët e inceneratorëve janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi.
Vetëm e vetëm për të mbrojtur këtë kupolë. Nëse qeveria shqiptare, në procedurën e aferës së djegësave është provuar se është një organizatë e mirëfilltë kriminale, dhe e dyta, nëse sipërmarrja e djegësave është e Mërtirit dhe Zotos, apo klanit të plehrave Rama-Agaçi-Veliaj.
Unë ftoj analistët, ftoj gazetarët që në këtë aferë t’i referohen ligjit dhe vetëm ligjit. Në këtë mënyrë ata shkojnë te kreu i klanit të plehrave, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj. Po pse kështu?
Një ish-kryeministër njeh më mirë se kushdo tjetër një procedurë që kalon nga Këshilli i Ministrave. Ai është i detyruar, nuk mund të jetë ndryshe. Ndaj dhe këtu, njerëzisht ju kërkoj atyre që besojnë se truri i aferës është Zoto dhe Mërtiri, t’u referohen vetëm ligjeve.
Për të hapur rrugën e aferës së inceneratorëve, u shkelmua strategjia e trajtimit të mbetjeve i financuar nga miliona euro prej BE. Kjo strategji u zëvendësua me strategjinë e djegies së plehrave. Këtë nuk mund ta realizonin kurrë Mërtiri dhe as Zoto, dy biznesmenë socialistë pa asnjë eksperiencë në fushën e trajtimit të plehrave. Këtë mund ta bënte vetëm klani qeveritar i plehrave me në krye Edi Rama, që firmosi krijimin e komisionit me 12 zëvendësministra, askush tjetër nuk mund të krijonte një komision të tillë, me qëllim që të rekomandonte shpalljen e emergjencës mjedisore.
Komisioni u mblidh, 9 zëvendësministra votuan kundër, hodhën në plehra propozimin e Edi Ramës. Meqë dështoi në mbledhjen e parë, Rama urdhëroi mbledhjen e dytë, e cila bëhet në Ministrinë e Mjedisit me 5 zëvendësministra tani dhe aty dërgon Metanin, kreun e departamentit juridik në kryeministri. Ai nuk ka asnjë tagër të shkojë në këto mbledhje. Por edhe në këtë mbledhje dështoi, sepse Ylli Manjani dhe Arben Isaraj refuzuan të firmosin.
Çfarë ndodh? Pas dy dështimesh, Edi Rama dhe Engjëll Agaçi thërrasin zëvendësministrat një nga një dhe i mbledhin firmat.
Nuk mund të ishte kurrë Zoto dhe Mërtiri, ata që përzgjidhnin Zoton dhe Mërtirin për të tre inceneratorët. Për të tre inceneratorët përzgjidhet e njëjta kompani, në kundërshtim flagrant me ligjin pasi nuk kishin asnjë eksperiencë në fushën e mbetjeve. Këta ishin të përjashtuar me ligj nga procedura.
Ndaj dhe qytetarëve duhet t’u themi të vërtetën, se kryebalozi i zi është Edi Rama, që përjashtoi garën e hapur me qëllim që t’i fitonte vetë me aksionerët e tij. Përjashtoi garën e hapur që tre djegësat t’ia jepte punonjësve të tij.
Përsëri, të ndjekim ligjin, procedurën. Tenderat u fituan me negociata të mbyllura, pa garë. Po negociata e mbyllur është e ndaluar në legjislacionin shqiptar. Por pikërisht këtë procedurë e firmosi jo Zoto dhe Mërtiri, por klani i plehrave, Rama dhe Agaçi. Pikërisht këtë procedurë firmosi sepse ajo u lejonte atyre jo vetëm që t’i merrnin këta tre tendera bashkë, por edhe të bënin një nen të tmerrshëm në kontratë. Nenin 30 në të cilin thuhet se kontrata nuk mund të zgjidhet kurrë. Madje u kalon edhe fëmijëve dhe nipave të tyre.
Përveç këtyre, Mërtiri dhe Zoto nuk kishin asnjë fuqi për të futur duart e tyre në fondin rezervë të Këshillit të Ministrave. Atë fond e përdor vetëm kryeministri, me firmë të ministrit të Financave. Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi të plotë ligjore të Arben Ahmetajt.
Në këtë aferë, klani i plehrave Rama-Agaçi-Veliaj shënoi një rekord që tejkalon çdo imagjinatë njerëzore. Ky rekord është në dhënien e 8 pikëve si bonus për ndërmarrjen e tyre, 8 muaj përpara se ajo të krijohej për djegësin e Tiranës”, deklaroi Sali Berisha.
Ish-kryeministri u shpreh se projektin e djegësit të Tiranës e ka bërë bashkëshortja e Veliajt, ndërsa shtoi se koncesionin e kanë edhe për fëmijët e tyre.
“A e dini kush e ka bërë projektin e djegësit të Tiranës? Kush ka qenë konsulente? Studio e Velicës! E bashkëshortes së Erion Veliajt. Studio aktive dhe superaktive në këtë problem. Ku është? Pse Erion Veliaj është anëtar kryesor i klanit të plehrave?
Së pari, Erion Veliaj është nismëtari, që e kaloi nga prokurim publik, në koncesion. E nuhati se fitohej më shumë dhe se mund t’ia linte edhe djalit. Ia kalon për koncesion ministrit Shkëlqim Cani, ai e kundërshton. Ia dërgon Arben Ahmetajt, ai e refuzon. Ia dërgon letrën e dytë dhe më pas të tretën, dhe Ahmetaj shkruan: No koment, meqenëse kjo është kompetencë e qeverisë vendore.
Ahmetaj është në tavë me këtë. Erion Veliaj që kërcënoi një gazetare që publikoi një fragment të dosjes. Erion Veliaj, me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin është kupola e djegësit të Tiranës. Por çfarë ka ndodhur tani? Tani që ka plasur gjirizi dhe ka mbuluar anekënd hapësirën kombëtare dhe ndërkombëtare, tani vini si kalojnë shkresat? Ato kanë vetëm një qëllim, që të tregojnë se Zoto dhe Mërtiri janë pronarët e sipërmarrjes.
Po pse thashë unë që këtë koncesion e kanë edhe për fëmijët e tyre? Sepse e kanë për 30 vite. Natyrisht me të drejtë përsëritje. Dhe për 30 vite kanë përllogaritur 300 milionë. Po sa shkon? Vetëm në 6 vite, janë shpenzuar aty 110 milionë euro. Prandaj në zhargonin e mafias thuhet se kush kap plehrat, kap miliardat”, tha Berisha.