Berisha: Vendin ka filluar ta mbulojë opiumi! Asgjë nuk e justifikon kanabisin në Shqipëri
Një ditë para vitimit në Kuve të projektligjit të Qeverisë për legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime medicinale, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se vendin ka filluar ta mbulojë opiumi!
Nga mbledhja me anëtarët e grupit të tij parlamentar, Berisha tha se asgjë nuk e justifikon kanabisin në Shqipëri.
"Asgjë nuk e justifikon kanabisin në Shqipëri. Por me Edi Ramën, Shqipëria është narkoshtet tipik, i vetëm në Europë.
Kanabisi mbulon vendin, por tani ka filluar të mbulojë vendin opiumi, lulëkuqja. Ju garantoj se ato do të zëvendësojnë të gjitha prodhimet e tjera se janë shumë më të shtrenjta se kanabisi.
Keni parë operacionet policore, mashtrime se nuk arrestojnë një njeri të vetëm? Nuk arrestohen se janë socialistë, janë të gjithë të partisë. Plus pasojat katastrofale mbi shëndetin, në radhë të parë në shëndetin mendor.
Pastaj një substancë që mbjell vetëm krim. Ne do i kundërshtojmë me forcën më të madhe", theksoi Berisha.
Ndersa lidhur me vendimin e pezullimi te fondeve të bujqësisë nga BE, Berisha apeloi qe të hetohen edhe projektet e infrastrukturës.
"Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare.
Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare. Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave.
Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha.
Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari.
Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi. Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij", theksoi Sali Berisha.






