Balluku: Buxhete të veçanta për zhvillimin e mburojave kibernetike, nën sulm prej korrikut 2022

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në tryezën e organizuar për Simulimin e Menaxhimit të një Krize Kibernetike ku theksoi se “qeveria shqiptare ka vendosur një fokus të veçantë duke destinuar buxhete të veçanta për zhvillimin e mburojave kibernetike, për zhvillimin e të gjitha hapave që duhet të hidhen në të ardhmen”.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi se “digjitalizimi i shërbimeve, digjitalizimi i proceseve të administratës shtetërore, sigurisht rrit nivelin e ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike.

Dhe ka qenë korriku i 2022 i cili na tregoi fare mirë se çfarë impakti mund të ketë një sulm i mirëorganizuar nga aktorë shtetërorë në goditjen e një vendi, të një vendi i cili ka vendosur që sot të digjitalizojë një pjesë shumë të madhe të shërbimeve duke arritur rreth 90% në këtë moment”.

“Kemi identifikuar menjëherë problematikat, sigurisht me mbështetjen e partnerëve tanë pasi kanë qenë ata që na kanë udhëzuar dhe na kanë mbështetur në ato ditë të para shumë të vështira për ne, do të thoja ditë kaotike në verën e vitit 2022, dhe sigurisht së bashku me partnerët kemi arritur që të definojmë një program të mirëfilltë, një “road map”, e cila duhet zbatuar me përpikëri të lartë për të arritur një nivel sigurie kibernetike të kënaqshëm, ashtu siç i shkon një vendi europian, ashtu siç i shkon një vendi anëtar të NATO-s”, tha Balluku.

Balluku u shpreh se “ka qenë rrugë e vështirë për të bindur edhe partnerë të tjerë, siç është sektori privat.

Na është dashur të bënim punë, dhe unë dua të falënderoj sot të gjithë përfaqësuesit e bankave që janë këtu dhe kanë nisur që të performojnë me një nivel tjetër, por ama duhet të jeni të sinqertë me njëri-tjetrin.

Më është dashur dhe mua që të ulem në tryezë me drejtuesit e bankave që ne të shpjegonim sesa e rëndësishme ishte tashmë që të kishte një ndërveprim”.

Sipas saj, siguria kibernetike nuk bëhet me ishuj të izoluar.

“Nëse vetëm administrata dhe qeveria shqiptare do të investonin në këtë drejtim dhe biznesi privat do të qëndronte jashtë do të ishte e pamjaftueshme.

Siguria kibernetike është një element i cili tashmë duhet të përvetësohet nga secili prej nesh, jo vetëm në nivelin e biznesit, në nivelin e administratës publike, por edhe në nivelin personal për sa kohë nga moshat shumë të reja, për të mos thënë nga fëmijët e vegjël që ne e dimë të gjithë që nuk është mirë, por janë të ekspozuar ndaj teknologjisë, dhe deri tek moshat e treta, sot të gjithë kanë akses dhe të gjithë kanë bazuar kryesisht jetën e tyre mbi teknologjinë.

Duke i bërë kështu të gjithë të prekshëm nga sulmet kibernetike”, shtoi Balluku.

Edhe fëmijët tanë, tha Balluku, janë të prekshëm nga sulmet kibernetike, edhe të rinjtë, edhe të gjithë ata të rinj e të reja që sot po investojnë në dituritë e teknologjisë, pasi është e ardhmja dhe këtë nuk e mohon dot.

“E gjithë tërheqja që sot të rinjtë, të rejat apo dhe vetë bizneset kanë ndaj inteligjencës artificiale dhe gjithçka tjetër do të ndodhë në të ardhmen, kërkon një mbrojtje kibernetike të perfeksionuar që duhet të nisë nga edukimi i brezave të rinj, por edhe i atyre më në moshë, pasi është një sektor i ri, është një fushë e re, me të po njihemi të gjithë pak nga pak dhe deri tek nivelet më të larta të qeverisë, të institucioneve të pavarura dhe të biznesit privat padyshim apo të infrastrukturës kritike siç janë bankat apo edhe ato infrastruktura kritike që janë në posedim të shtetit shqiptarë siç është energjia, transporti dhe gjithçka tjetër”, theksoi Balluku.

Më tej Balluku u shpreh se “korniza ligjore e qartë tashmë i jep mundësi të gjithë aktorëve që të njohin rolet e tyre, por çka është më e rëndësishme dhe çka do t’ju kërkoja unë sot do të ishte që t’i facilitonim punën ACESK-ut”, tha Balluku.

“E di që qarkullojnë sepse i kam dëgjuar nga sektorë të ndryshëm, ideja që ACESK-u do të na futet nëpër database, do të na marrë të dhëna. Është e kundërta. ACESK-u nuk ka asnjë interes të futet në databaset e askujt. ACESK-u është aty për të ruajtur pikërisht dhe për të krijuar ato mburoja që i duhet secilit sektor, secilit institucion dhe jo për të rrjedhur informacion. Dhe unë besoj që ju e dini më mirë, kush janë nga fusha e teknologjisë së informacionit këtu, që siguria kibernetike nuk vë në risk as nuk komprometon asnjë nga proceset e institucioneve apo të sektorëve që do ta përdorin dhe duke pasur parasysh që trupa që operon brenda ACESK-ut është një trup e mirëkontrolluar, është një trup e cila ka marrë përsipër këtë lloj detyre është një trup që ka shkuar atje përmes një filtrimi të CV-ve, të aftësive dhe kapaciteteve dhe të eksperiencës padyshim”, nënvizoi Balluku.

Balluku vuri në dukje se “çdo proces ka nevojë për kohën e vet të maturimit, ka nevojë për kohën e vet të asimilimit. Çdo proces i ri fillimisht paragjykohet, nganjëherë dhe pengohet, por unë jam shumë e sigurt që të gjithë ju e dini që Shqipëria vazhdon të jetë në sulme të vijueshme. Ne nuk kemi pasur asnjë moment qetësie pas korrikut të 2022, sulmet kanë qenë intensive dhe kanë ardhur në ngritje. Pse nuk dëgjohen më në publik?! Pasi ne jemi të përgatitur”.

Më tej Balluku falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen që ka dhënë gjatë këtij procesi, si në ekspertizë, ashtu dhe në mbështetje të natyrave të tjera.

Nga ana tjetër, tha Balluku, falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës që siç u shpreh ajo “na janë gjetur pranë nga momenti një, qoftë me ekspertizë njerëzore, por qoftë edhe me fonde që janë vënë në dispozicion, por është e rëndësishme që të themi që ne gjithashtu kemi dhe dy partnerë të cilët kanë kontribuar fuqishëm për sa i përket ngritjes së kapaciteteve të vendit tonë në sigurinë kibernetike që është agjencia simotër e izraelit dhe agjencia simotër e Emirateve të Bashkuara”.

“Me të dyja palët kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe kanë qenë kontribuues në çdo hap që ne kemi hedhur dhe unë besoj që do të vazhdojnë të gjithë këta partnerë ndërkombëtarë që të jenë në krahun tonë pasi kemi të gjithë një armik të përbashkët”, tha Balluku

EMISIONET