Balla: Opozita të vijë te reforma territoriale, përndryshe mekanizma zhbllokues

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi sot që opozita të reflektojë dhe të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit të posaçëm të reformës administrativo-territoriale.

Gjatë një konference për shtyp nga kryesia e Kuvendit, Balla kujtoi se afati i realizimit të kësaj reforme është java e fundit e muajit korrik, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme vendore në vitin 2027.

“Unë nuk bëj ultimatume, por u kam bërë një kërkesë kolegëve deputetë të PD-së që të reflektojnë për sa i përket detyrimit që kanë për pjesëmarrjen në këtë komision. Kemi ngritur një komision ku kemi vendosur bashkëdrejtimin ndaj çdo shkresë që niset duhet të kundërfimoset”, tha Balla.

Sipas tij, për shkak të mungesës së opozitës në komision janë humbur pothuajse 3 muaj nga ecuria e punës për realizimin e kësaj reforme të rëndësishme, e cila synon përmirësimin e shërbimeve publike ndaj komuniteteve.

“Deputetët e PD-së nuk lejohen nga lidershipi i tyre për të marrë pjesë në komisione. Besoj dhe shpresoj që sot në mbledhje jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent, por edhe  të marrin detyrat, në mënyrë që në seancën e Kuvendit të mos jemi të detyruar të vendosim mekanizmat zhbllokues të kësaj situate”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, sqaroi se në rast se reforma territoriale dhe praktikat e mira të Komisionit të Venecias sugjerojnë ndarje të re administrativo-territoriale, ajo duhet miratuar në Kuvend jo më vonë se e enjtja e fundit e korrikut.

“Kjo në raport me zgjedhjet e ardhshme vendore. Ndaj ligji duhet të ketë kaluar brenda kësaj legjislature. Në vitin 2022 kemi pasur një komision që dështoi”, shtoi ai.

I pyetur mbi reformën zgjedhore, Balla theksoi se Shqipëria është e detyruar të ndërmarrë një reformë të thellë zgjedhore për të adresuar rekomandimet shumëvjeçare të ODIHR-it.

Ndaj sipas tij, “gjithëpërfshirja dhe dialogu kanë parakusht të vetëm pjesëmarrjen në komision”.

EMISIONET