Azgan Haklaj denoncon ndalimin në kufi: Presion sistematik ndaj meje pas protestave në mbrojtje të vlerave të UÇK-së

Azgan Haklaj denoncon ndalimin në kufi: Presion sistematik ndaj meje pas

Azgan Haklaj ka reaguar pas ndalimit të tij në pikën kufitare të Dibrës së Madhe, duke u shprehur se autoritetet e Maqedonisë së Veriut po ushtrojnë “presion sistematik” ndaj tij pas pjesëmarrjes dhe organizimit të protestave në mbrojtje të vlerave të UÇK-së.

" REAGIM ZYRTAR DHE PUBLIK!
​PËR:

Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ambasadën e RSH-së në Shkup, Përfaqësuesit Politikë të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Organizatat e Veteranëve të UÇK-së
SUBJEKTI:

Ndalimi i jashtëligjshëm dhe presioni sistematik në pikën kufitare të Dibrës së Madhe.
Kërkesë për ndërhyrje urgjente.

​Përmes këtij reagimi, dëshiroj të bëj publik dhe të denoncoj me forcë trajtimin skandaloz dhe diskriminues që po më bëhet në mënyrë të përsëritur nga autoritetet kufitare të Maqedonisë e Veriut në pikën e kalimit në Dibër të Madhe.

​Së fundmi së bashku me mikun tim Gjergj Kanani, jam ndaluar sërish dje për një kohë të gjatë me marrje në pyetje pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë shpjegim zyrtar dhe në shkelje të plotë të normave ndërkombëtare të lirisë së lëvizjes.
Këtë fakt e denoncova sot në emisionin e mëngjesit në televizionin shtetëror të Maqedonisë së Veriut ku isha i ftuar.

Sjellja arbitrare e policisë kufitare maqedonase nuk është e rastësishme;

Ajo ka nisur fill pas pjesëmarrjes dhe organizimeve e moderimeve në protestat në mbrojtje të vlerave të UÇK-së.
​Përdorimi i pikave kufitare si mjete presioni apo kontrolli politik ndaj figurave publike dhe veprimtarëve kombëtarë është i papranueshëm për një vend fqinj që pretendon standarde evropiane.

​Lidhur me këtë situatë represive kam njoftuar zyrtarisht:
​Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Denion Meidani, nga i cili pres një reagim të prerë diplomatik dhe note proteste ndaj autoriteteve të vendit pritës;

​Deputetin e BDI-së, z. Ilir Hasani, si përfaqësues politik i shqiptarëve në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, për të ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë institucional e parlamentar;

​Organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të mbrojtur dinjitetin e secilit bashkëluftëtar që po përballet me lista të zeza të padeklaruara.

​KËRKESAT:

​Nga Autoritetet e Maqedonisë së Veriut:

Të ndërpresin menjëherë provokimet, ndalimet arbitrare dhe përdorimin e "listave të dyshimta" ndaj qytetarëve dhe figurave publike shqiptare.

​Nga Diplomacia Shqiptare:

Të kërkojë shpjegime të menjëhershme zyrtare nga Shkupi për arsyet e këtyre ndalimeve të përsëritura dhe të garantojë mbrojtjen e plotë të qytetarëve të saj.

​Nga Faktori Politik Shqiptar në Maqedoninë e Veriut:

Të mos heshtë përballë sjelljeve të tilla që cenojnë lirinë e lëvizjes dhe dinjitetin e shqiptarëve në rajon.

​Liria e lëvizjes dhe e drejta për të mbrojtur të vërtetën e UÇK-së nuk mund të cenohen nga pengesa burokratike e politike në kufi.

Pres veprime konkrete dhe përgjigje zyrtare nga të gjitha institucionet e njoftuara", shkruan Haklaj.

EMISIONET