Xhixho kritikon politikat ekonomike të qeverisë: Shqipëria përballet me rritje çmimesh dhe sfida të zhvillimit
Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka shprehur kritika ndaj qeverisë për mënyrën e menaxhimit të ekonomisë, duke u ndalur te çmimet, taksat, turizmi dhe zhvillimi i sektorëve prodhues.
Në deklaratën e saj, Xhixho tha se disa prej premtimeve të bëra ndër vite nga qeveria nuk janë realizuar dhe se qytetarët po përballen me kosto të larta jetese.
Ajo u ndal te çmimi i energjisë dhe karburanteve, duke argumentuar se barra fiskale mbetet e lartë dhe se nevojiten politika më lehtësuese për familjet dhe bizneset.
Sipas Xhixhos, edhe sektori i turizmit po përballet me sfida për shkak të rritjes së çmimeve, problematikave me infrastrukturën dhe standardeve të shërbimeve.
Ajo kritikoi gjithashtu rritjen e sektorit të ndërtimit, duke thënë se ekonomia duhet të mbështetet më shumë te prodhimi, eksportet dhe hapja e vendeve të qëndrueshme të punës.
“Shqipëria ka nevojë për një ekonomi që prodhon, eksporton dhe krijon mundësi për qytetarët”, deklaroi Xhixho, duke kërkuar një ndryshim të prioriteteve ekonomike.
Deklarata e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.
Të nderuar qytetarë!
Edi Rama është kryeministri i premtimeve të pambajtura. Premtoi punësim, por përzuri mbi 1 milion shqiptarë. Premtoi shëndetësi falas, ndërsa sot 60% e shpenzimeve shëndetësore paguhen nga xhepi i qytetarëve. Premtoi legalizime, por u shembi shtëpitë dhe u grabiti pronën shqiptarëve. Premtoi rend dhe siguri, por e vuri ekonominë e vendit në shërbim të oligarkëve dhe krimit të organizuar, duke e kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave.
Sot, ekonomia shqiptare po përballet me pasojat e drejtpërdrejta të këtij modeli qeverisës.
Mashtrimi ekonomik dhe goditja e qytetarëve
Për të parë se si sillet një qeveri që u shërben qytetarëve të saj, mjafton të shohim Britaninë. Në javën e parë të qeverisjes, kryeministri britanik njoftoi heqjen e TVSH-së mbi faturat e energjisë elektrike për familjet duke filluar nga 1 tetori.
Në vitin 2013, Edi Rama premtoi uljen në 6% të TVSH-së për energjinë elektrike për familjarët. Ishte një mashtrim elektoral. Ulja nuk ndodhi kurrë. Përkundrazi, shqiptarët panë burgosjen e njerëzve që nuk kishin mundësi të paguanin faturat e energjisë.
Një vit më parë, qeveria e propagandoi uljen me vetëm 1 lek të çmimit të energjisë. Një tallje me qytetarët.
Sot edhe nafta është rritur në 206 lekë për litër, duke paralajmëruar rritje të mëtejshme çmimesh. Shqipëria vazhdon të ketë naftën më të shtrenjtë në rajon, sepse qeveria vazhdon t’u imponojë qytetarëve 60% te cmimit Taksa .
Vetëm taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, taksa e karbonit 3 lekë për litër, ndërsa TVSH-ja 20% llogaritet edhe mbi vetë taksat. Pra, qytetarët paguajnë TVSH edhe mbi taksat, duke e fryrë artificialisht çmimin final. Kësaj i shtohen kostot e markimit, kontrollit teknik dhe funksionimit të tregut.
Shqipëria është një vend i varur nga nafta. Mbi 1 milion mjete janë aktive dhe rreth 70% e tyre përdorin naftë.
Ndërkohë, vendet e rajonit kanë ndërhyrë për të mbrojtur qytetarët. Disa kanë vendosur tavane për çmimet, të tjera kanë ulur përkohësisht taksat mbi karburantet.
Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Maxhoranca refuzoi me arrogancën e kartonëve propozimin e opozitës për pezullimin e taksave mbi karburantet dhe uljen në 5% të TVSH-së për produktet e shportës.
Sepse kjo maxhorancë nuk qeveris për qytetarët. Qeveris për oligarkët.
Turizmi po humbet konkurrueshmërinë
Qeveria e ka propaganduar turizmin si historinë më të madhe të suksesit, duke numëruar si turist çdo person që kalon kufirin.
Por realiteti i kësaj vere është krejt tjetër. Nga Saranda në Shëngjin plazhet janë bosh.
Oferta turistike shqiptare nuk është më konkurruese.
Rënia drastike e euros, e cila ka humbur rreth 32% të vlerës në vendin tonë për shkak të flukseve të mëdha të parasë së pisët, ka goditur rëndë sektorin. Në të njëjtën kohë, rritja e çmimeve ka dekurajuar turistët e huaj, të cilët po zgjedhin vende të tjera të rajonit.
Problemet nuk mbarojnë këtu.
Përveç infrastrukturës së mangët dhe transportit publik të dobët, Shqipëria rezulton këtë vit me ujërat bregdetare më të ndotura në Europë. Vetëm 16% e ujërave tona klasifikohen me cilësi “të shkëlqyer”. Ndërkohë, Qiproja ka 100% të ujërave me këtë standard dhe Greqia 97.1%.
Edhe cilësia e ajrit është alarmante. Sipas Eurostat, Shqipëria renditet e katërta në Europë për numrin e vdekjeve të parakohshme që lidhen me ndotjen e ajrit.
Pra, nuk arrijmë të ofrojmë as det të pastër dhe as ajër të pastër.
Ndërkohë, turizmi kontribuon me rreth 22% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur Shqipërinë të dytën në Europë pas Maltës për varësinë nga ky sektor.
Tkurrja e turizmit nuk është thjesht problem sezonal.
Është paralajmërim për tkurrjen e gjithë ekonomisë.
Korrupsioni, paratë e pista dhe shkatërrimi i ekonomisë reale
Biznesi i ndershëm është dekurajuar, ndërsa konkurrenca është vrarë nga korrupsioni.
Mbi dy të tretat e sipërmarrësve e konsiderojnë korrupsionin problem serioz. 42.9% e vlerësojnë atë në nivele të larta, ndërsa 25.6% në nivele shumë të larta.
Korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare 1 miliardë euro çdo vit, Nëse kjo situatë vazhdon, deri në vitin 2030 vendi rrezikon të humbasë nga 2.8 deri në 4.8 miliardë euro.
Me bekimin e qeverisë është ngritur një makineri që ushqen ekonominë e betonit dhe dekurajon çdo shqiptar të ndershëm që kërkon të investojë në vendin e tij.
Ndërtimi është kthyer në mekanizmin kryesor të pastrimit të parave.
Sot rreth 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar.
Ekonomi që prodhon më pak dhe betonizon më shumë
Çdo ditë shohim të ngrihen kulla të reja.
Apartamentet kushtojnë 300 mijë, 400 mijë euro e më shumë, ndërsa paga mesatare nuk kalon 800 euro.
Një familjeje të re i duhet pothuajse një jetë e tërë pune për të blerë një apartament në vendin e vet.
Paradoksi bëhet edhe më i madh sepse, ndërsa euro ka rënë në nivele rekord, çmimet e apartamenteve janë trefishuar.
Kjo nuk është ekonomi tregu, por ekonomi e deformuar nga paratë e pista.
Ndërkohë, sektorët që krijojnë punësim po shkatërrohen, bujqësia po tkurret çdo ditë, duke goditur mbi 300 mijë fermerë.
Fasoneria po falimenton nën goditjen e zhvlerësimit të euros, duke mbyllur qindra sipërmarrje dhe duke lënë mijëra familje pa të ardhura.
Shqipëria prodhon gjithnjë e më pak dhe ndërton gjithnjë e më shumë.
Kjo është fotografia e vërtetë e ekonomisë shqiptare.
Një ekonomi që nuk mbështetet mbi prodhimin, eksportin, punën dhe sipërmarrjen e ndershme, por mbi betonin, monopolin, korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Një ekonomi ku qytetari paguan energjinë dhe karburantin më shtrenjtë, biznesi i ndershëm humbet terren, turizmi po humbet konkurrueshmërinë, fermerët dhe fasonët po falimentojnë, ndërsa pasurohen vetëm një grusht oligarkësh.
Kjo nuk është rruga e zhvillimit. Është rruga e një ekonomie artificiale, të varur nga paratë e pista, që prodhon pabarazi, varfëri dhe emigracion.
Shqipëria nuk mund ta ndërtojë të ardhmen mbi kulla bosh dhe para informale. Ajo ka nevojë për një ekonomi që prodhon, eksporton, krijon vende pune dhe u shërben qytetarëve, jo klientëve të pushtetit.

