Nuk e njeh vërtet dikë pa udhëtuar me të, ja 7 momentet që zbulojnë karakterin e dikujt...

Në jetën e përditshme, të gjithë jemi të kuruar. Kemi rutinat tona, komoditetin tonë dhe gjithmonë mund të largohemi kur ndihemi të lodhur. Në një udhëtim, kjo nuk ndodh. Je me atë person për orë të tëra, ndonjëherë për ditë të tëra, humbni autobusin bashkë, ndani një dhomë, vendosni ku do të hani, çfarë do të shihni dhe, mbi të gjitha, si do të reagoni kur gjërat nuk shkojnë sipas planit. Prandaj ka një arsye pse shumë njerëz thonë se nuk e njeh vërtet dikë derisa të udhëtosh me të.
1. Si sillet kur gjërat nuk shkojnë sipas planit?
Pushimet nxjerrin në pah karakterin e njerëzve. Një fluturim vonohet, fillon shi kur kishit planifikuar plazhin apo hoteli nuk është aq i bukur sa në foto. Disa njerëz qeshin dhe thonë: “Punë e madhe po hë”, ndërsa disa të tjerë fillojnë me ankesat, me mërzitetjet dhe debatet, mjaftueshëm sa për të prishur humorin e gjithë grupit brenda pesë minutash.
2. A di të bëjë kompromis?
Nuk ka grup udhëtimi ku të gjithë duan të njëjtën gjë në të njëjtën kohë. Dikush do plazh, dikush muze, dikush gjumë dhe dikush do të ecë në vapë për të parë një mur “shumë autentik”. Ajo që ka rëndësi është nëse personi di të lëshojë pe, të ndajë ditën ose të thotë: “Shkoni ju, unë do bëj diçka tjetër.” Njerëzit e mirë për udhëtim nuk janë ata që duan gjithmonë të njëjtat gjëra si ti. Janë ata që nuk e kthejnë çdo mospërputhje në konflikt.
3. Si sillet me njerëzit që nuk i njeh?
Jo më kot thuhet se duhet të vëzhgosh si sillet dikush me kamerierin. Udhëtimet të japin pafund raste për ta parë këtë: recepsionisti, shoferi i taksisë, kamerieri që ngatërroi porosinë apo shitësi që nuk flet gjuhën tënde. Mirësjellja është mënyra si dikush sillet kur nuk ka asnjë arsye për të bërë përshtypje.
4. Sa i pastër është?
Në përditshmëri, të gjithë mund të duken të rregullt . Në udhëtim, situata ndryshon. A i lë peshqirët e lagur mbi krevat? A e kthen dhomën në kaos brenda një pasditeje? A përdor gjysmën e banjës dhe sillet sikur po qëndron vetëm? Pastërtia nuk është vetëm çështje personale, por tregon sa e respekton hapësirën që ndan me të tjerët. Dhe po, një palë çorape në dysheme mund të zbulojë më shumë për një marrëdhënie sesa tri darka romantike.
5. A di të bëjë pauzë, apo duhet të jetë gjithmonë në lëvizje?
Jo çdo minutë e një udhëtimi duhet mbushur me muze, plazhe, restorante dhe një tjetër vend “që s’mund ta humbasim”. Ka njerëz që nuk dinë të rrinë pesë minuta pa propozuar aktivitetin tjetër. Pastaj ka nga ata që mund të kalojnë një orë në të njëjtën tavolinë, me një kafe, një libër, një playlist, një bisedë të mirë apo edhe një IQOS, nëse e përdorin, pa pasur ndjesinë se po humbasin kohë. Mënyra si dikush pushon të tregon jo vetëm ritmin që ka, por edhe nëse di ta shijojë një moment pa e kthyer pushimin në një tjetër listë detyrash.
6. Si i ndan shpenzimet?
Udhëtimi të tregon shumë shpejt nëse dikush është korrekt, dorëlëshuar, llogaritar deri në qindarkën e fundit apo tipi që zhduket sa herë vjen fatura. Ka nga ata që propozojnë t’i ndani shpenzimet drejt, nga ata që mbajnë shënim çdo kafe dhe nga ata që thonë “t’i jap më vonë” me një qetësi që të bën të kuptosh se “më vonë” mund të mos vijë kurrë. Nuk ka një mënyrë të vetme të saktë për të ndarë paratë, por mënyra si dikush e trajton këtë bisedë tregon shumë për korrektësinë, bujarinë dhe përgjegjësisë.
7. A prish harmoninë e grupit për një tekë të vetën?
Ndonjëherë nuk është hoteli, moti apo trafiku që e prish udhëtimin, por personi që vendos se i gjithë grupi duhet të ndryshojë plan sepse ai do patjetër të hajë në një restorant të caktuar, të bëjë një foto në një vend specifik ose të pijë kafenë në mënyrën e vet pa respektuar në asnjë moment dëshirat e të tjerëve.
Pra, udhëtimi nuk të tregon vetëm vendin, por edhe njerëzit. Ndoshta kjo është arsyeja pse disa njerëz kthehen nga pushimet më të dashuruar se kurrë, ndërsa të tjerë vendosin që vitin tjetër do marrin dhoma të ndara. Prandaj jo pak shoqëri kanë përfunduar pas një udhëtimi të përbashkët, sepse një udhëtim nuk të tregon vetëm sa mirë shkon me dikë, por edhe nëse ritmet tuaja, mënyra si e shijoni jetën dhe mënyra si e përballoni kaosin janë vërtet të ngjashme. Dhe, çuditërisht, këto janë gjëra të mbeten në mendje edhe pasi nxirja ka ikur dhe vera ka përfunduar.

