Anulohet shorti për renditjen e kandidatëve për kryetarë bashkie, Celibashi: 3 kandidatë janë për hetim të thelluar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka anuluar shortin që do të përcaktonte renditjen në fletën e votimit, të kandidatëve për disa nga bashkitë e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi u shpreh se shorti do të shtyhet, ka marrë kërkesë nga një subjekt zgjedhor, që fillimisht shorti të hidhet për partitë politikë e më pas për kandidatët.
Ndër të tjera, Celibashi nënvizoi se për 3 kandidatë, duhet pritur përfundimi i shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe Kolegj.
“Në seancën e sotme kemi zhvillimin e procedurave për hedhjen e shortit për renditjen e disa kandidatëve për kryetarë bashkie në disa bashki, por do ta shtyjmë sepse kemi marrë një kërkesë nga një subjekt zgjedhor, i cili kërkon që të bëhet hedhja e shortit, paraprakisht, për subjektet zgjedhore dhe pastaj për kandidatët për kryetarë bashkie.
Edhe për këta të fundit, të bëhet për të gjithë në të njëjtën kohë. Meqënëse për 3 kandidatë jemi akoma në procedurë shqyrtimi të ankimeve, do duhet të presim përfundimin ne shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor”, tha ai.
Shorti do të zhvillohej për kandidatët për kryetarë bashkie në: Tiranë, Kamëz, Lushnjë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Vlorë, Korcë, Lezhë dhe Shkodër.
Kryekomisioneri Zgjedhor theksoi po ashtu se janë vetëm 3 kandidatë për kryetarë bashkishë që janë për hetim të thelluar
“Do dërgojmë kërkesë në Kolegjin Zgjedhor që çështjet të shqyrtohen përpara datës 14 maj. Teorikisht janë vetëm 3 kandidatë për hetim të thelluar. Po presim shqyrtimin e 3 rasteve për kandidatët që të zyrtarizojmë listat.
Nëse do ketë raste për hetim të thelluar do e dërgojmë rastin në prokurori”, thekosi Celibashi.
Celibashi iu përgjigj edhe propagandës së qeverisë që paratë e KQZ-së për zgjedhjet do i investojë në pemë dhe gjelbërim, duke i kujtuar se parashikimi në Kodin Zgjedhor është i qartë.
“Partitë Politike do marrin financimet, mënyra e shpenzimeve ka parashikime të ligjit", tha ai.
Celibashi përsëriti qëndrimin e tij se sa i përket rritjes së pagave nga qeveria para zgjedhjeve është e ndaluar vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe jo vendore.
“Në lidhje me vendimet e qeverisë për rritjen e pagave para fushatës, kemi vlerësuar që shkelje ka vetëm për rastin e zgjedhjeve parlamentare”, u shpreh Ilirjna Celibashi.