Rama: Spitali i ri intern te Trauma, drejt përfundimit. Vitin tjetër do rrisim dhe pagat
Pas Spitalit Qendror në QSUT, është gati drejt finalizimit një tjetër investim e rëndësishëm, Spitali i Sëmundjeve të Brendshme në korpusin spitalor të Traumës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga ky investim teksa bëri të ditur se, spitali i ri intern në Korpusin Spitalor të Traumës është drejt përfundimit.
Rama ka theksuar se, spitali është rindërtuar me standardet më të mira.
Kreu i qeverisë, po ashtu ka shkruar në rrjetet sociale se, spitali do të shërbejë për trajtimin e sëmundjeve të brendshme si dhe do të ketë për herë të parë një qendër konsultash të dedikuar.
Ndërkaq, kreu i Qeverisë ka komentuar sërish dëshirën e tij për rritjen e pagave vitin që vjen.
“Pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shprehet kryeministri Rama përmes rrjeteve sociale.
Spitali Qendror në QSUT
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ketë 9 salla leksioni për studentët e Mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.