FOTO+EMRAT/ Tri të arrestuar dhe 1 në kërkim në Elbasan, kërcënuan fituesin e tenderit të Bashkisë së Tiranës
Pas një hetimi njëmujor, në kuadër të operacionit të koduar “Tenderi”, i zhvilluar nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është bërë i mundur arrestimi it re shtetasve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Operacioni në fjalë mësohet se ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe ka vijuar deri mëngjesin e sotëm, ku policia bën me dije se të arrestuarit janë prangosur pasi shtrënguan me anë të kanosjes, administratorin e një kompanie private, që të tërhiqej nga procedura e konkurrimit për tenderin që kishte fituar kjo kompani.
Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar "Tenderi", u vunë në pranga shtetasit: Algert Alcani, 27 vjeç; Edmir Boci, 37 vjeç; dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç.
Ndërkohë u shpall në kërkim 38 vjeçari, për veprën penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", e kryer në bashkëpunim.
“Specialistët e strukturave hetimore të DVP Elbasan, mbështetur nga inteligjenca informative se disa shtetas kishin kanosur administratorin e një firme në Cërrik dhe vijonin ta shtrëngonin që të tërhiqej nga një procedurë tenderimi që kishte fituar në bashkinë e Tiranës, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila regjistroi procedimin penal.
Pas një hetimi proaktiv njëmujor, strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tenderi”.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u ndaluan shtetasit:
E. B., 37 vjeç, A. A. 27 vjeç dhe Sh. A., 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma e që ai adminsitronte. Shtetasi E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare. Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.