Ambasadorët e rinj, debate në Komisionin e Jashtëm. Kumbe: Në fokus rritja e investimeve izraelite në Shqipëri

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Meri Kumbe, kandidate për Ambasadore të Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Izrael, rezident.

Duke prezantuar prioritetet e programit të saj, Kumbe vlerësoi se marrëdhëniet mes dy shteteve janë të forta dhe të konsoliduara.

Kumbe u ndal te marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve në fushën e sigurisë kibernetike, arsimit dhe kulturës si edhe aspektit mediatik, marrëveshja e nënshkruar mes ATSH-së dhe agjencisë homologe në Izrael.

Sipas saj, “arritjet e deritanishme janë fryt i një pune të shkëlqyer të dy qeverive”.

“Në rast se do kem nderin të jem përfaqësuesja e Shqipërisë në Izrael, objektiv do të jetë zhvillimi dhe thellimi i bashkëpunimit në mbrojtjen kibernetike, biznes, bujqësi e turizëm”, tha Kumbe.

Po ashtu ajo theksoi se fokus të veçantë do të ketë rritja e investimeve izraelite në Shqipëri, dhe promovimi i vendit tonë.

Kumbe veçoi shembullin që Shqipëria i dha mbarë botës me mbrojtjen e hebrenjve.

“I vetmi vend në botë që mbrojti jetën e hebrenjve. Në vendin tonë nuk u dorëzua asnjë hebre. Shqipëria i ka kërkuar Izraelit të fusë në kurrikulat shkollore dhe faktin se Shqipëria ka mbrojtur jetën e izraelitëve në Luftën e II-të Botërore”, shtoi ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti deklaroi se diplomacia shqiptare është kthyer në vend qokash.

Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Jashtëm, Alizoti tha se nuk mendon se kjo e fundit se është në postin e duhur. Mes të tjerash ai tha se më shumë Kumben e sheh në Unesco.

“Do të zgjedhim njohësin më të mirë të atij vendi. Fatkeqësisht politika e jashtme në Shqipëri është kthyer vend qokash. Izraeli është kthyer në vend me rëndësi.

Doja të shikoja në Izrael një diplomat që kishte shumë njohje. Cv-ja juaj është shumë e pasur, por mendoj se jeni në postin e gabuar. Duhet të ishit shumë mirë në UNESCO.

Ambasadori është një figurë e madhe, serioze e një shteti. Ndaj mendoj se nuk duhet të jetë vend qokash. Ka dhe një trupë diplomatike, që kanë vite. Diplomacia ngjan me ushtrinë dhe ka radhë.

Politika e jashtme është diçka kombëtare, nuk i përket një partie, por të gjithë shqiptarëve. Duhet të ketë në politikën e jashtme edhe njerëz që nuk e duan kryeministrin, por që mendojnë edhe ndryshe nga ai.

Njerëzit shumë të ditur janë dhe rebelë. Respekt për ju, po të ishte për një post tjetër po, por për Izraelin, nuk jam për ju.”, tha Alizoti.

EMISIONET