Alibeaj e PS, bashkë për ish-sigurimsat/ PS përjashton nga diskutimi nismën e Berishës për “Lustracionin”
Deputetët dhe bashkiakët që do të dalin me dosje të ish-Sigurimit të shtetit do t’u hiqet mandati. Diskutimi për pastrimin e politikës është rikthyer sërish në prag të zgjedhjeve vendore, ndërsa socialistët janë të bindur të diskutojnë vetëm projektligjin e tyre dhe të mbështetësve të Alibeajt. Në këtë mënyrë edhe një herë mazhoranca përjashton debatin mbi lustracionin e propozuar prej Berishës
Largimi i bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit të periudhës komuniste, ka bërë bashkë sërish mazhorancën dhe deputetët e kryesuar nga Enkelejd Alibeaj.
Në seminar mbi aksesin në dokumentat historik, socialistët bënë të ditur përjashtimin sërisht të draftit mbi lustracionit të paraqitur prej mbështetësve të Berishës.
Ermonela Felaj, PS: “Përgjatë 3 dekadave të tranzicionit të Shqipërisë nga regjimi totalitar në një shtet demokratik dhe të së drejtës dhe nevoja për transparencë, por edhe për objektivitet në raport me të shkuarën, sigurisht që janë rritur, nuk janë më ato të njëjtat, sepse edhe ndërgjegjësimi ynë nuk është më i njëjtë”.
Megjithatë Enkelejd Alibeaj në propozimet për diskutim renditi katër projekte mes të cilëve dhe nismën e kundërshtarëve të tij në selinë blu.
Enkelejd Alibeaj, PD: “Besoj se hapja joselektive, hapja e plotë, hapja në shërbim të njohjes së të vërtetës është më e rëndësishme se sa lëndimi që mund të ndodhë. Kjo është e vonuar, por duhet bërë. Është një standard moral që shoqëria shqiptare do të duhet ta kalojë që tranzicioni 32 apo 33-vjeçar të marrë fund. Ndryshe do të jetë një çështje që do të vazhdojë dhe hanxhari i shantazhit në sfera politike do të vazhdojë”.
Pro pastrimit, u shprëhën dhe përfaqësues nga Këshilli i Evropës ku u nënvizua rëndësia e mësimeve prej historisë.
Louisse Barton: “Të mësojmë ndoshta nga ngjarjet e së shkuarës dhe të kemi eksperienca të përbashkëta të shtetit demokratik, të të drejtave të njeriut”.
Ndërsa kryetarja e Autoritetit të Dosjeve solli në vëmendjen vështirësinë që ka përballja me të kaluarën totalitare.
Gentiana Sula: “Qasja në arkivat sekrete të 47 viteve, pothuajse gjysma e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar që u nis 7 vite më parë ka qenë shumë sfiduese. Mbledhja, administrimi ka qenë transparent, krijimi i arkivës në vetvete, garantimi i aksesit kanë qenë një sfidë e jashtëzakonshme”.
Por duket se në seancë do të kaloj një bashkim i nismës së Alibeajt dhe të PS, ku ndër të tjera çdo deputeti apo të zgjedhuri vendor i hiqet mandati nëse rezultojnë ish bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, e po ashtu jepet e drejta e hapjes së çdo dosjeje.