Akuzat për “21 janarin”, Berisha: Të pyetet Rama, ai i përdori si "mish për top" protestuesit

Ndërsa socialistët paralajmërojnë se do ti drejtohen SPAK për 21 janarin, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon hetimin e Edi Ramës si organizator i demonstratës që përfundoi me 4 të vrarë.  Duke iu referuar publikimit të një audio me komunikimet e Gardës, kryedemokrati, në atëkohë Kryeministër, tha se ajo është e manipuluar.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar lidhur me akuzat e fundit të Partisë Socialiste e cila pretendon se ka prova të reja për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, ku  protestues në demonstratën e thirrur nga PS-ja në atë kohë në opozitë u vranë në bulevardin para Kryeministrisë që drejtohej nga vetë Berisha.

Ky i fundit theksoi se nëse ka një njeri që duhet pyetur ai është Edi Rama, i cili i përdori ata si mish për top.

"Që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut, harroje. I takon medias të thonë të vërtetën e atij manipulimi. Nuk mund të komentoj unë, disa tabela shkrimi që paraqiten si audiopërgjim dhe nuk ekzistojnë. Nuk u paraqit audio, por dëshmoi qartësisht se ishte një manipulim dhe falsifikim. Njëlloj si shiriti i 21 janarit, ku u tha se Sali Berisha ishte i implikuar në problemin e hidrocentralit. Pra, është gjithçka krijesë e Ardi Veliut. Duke thënë këtë, theksoj edhe njëherë se 21 janari përbën një nga ngjarjet më tragjike, përpjekje për grusht shteti, marrje pushteti me dhunë nga ata që i kam denoncuar me kohë.

Komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti SHBA, ka hetuar me të madhe që të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës. Edi Rama është personi kryesor, organizator i dhunës. Edi Rama nuk gjeti kurrë kurajo të paraqitej në prokurori, ndonëse u thirr për të dëshmuar. Edi Ramën do e ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune. Ai është faktuar si organizator në mënyrën më të pakundërshtueshme. Pjesa e gardistëve është hetuar nga një kundërshtare e egër e Sali Berishës. Është hetuar me një prani të rëndësishme ndërkombëtare. Dhe janë dhënë dënimet e njohura deri më tani. Por, meqenëse shërbehet me krijime të Ardi Veliut, i them lëri ato, hajde, hiq imunitetin se unë nuk kam imunitet për asgjë, dhe shko dëshmo për organizimin e puçit. I solli si mish për top. Natyrisht, ngjarja është tragjike. Atëherë dhe sot, familjarët kanë ngushëllimet e mia. Por manipulimi që bën Edi Rama për njerëzit që përdori si mish për top se donte të vinte në pushtet, është makabritet", deklaroi kryedemokrati Sali Berisha.

Për protestën që përfundoj me ngjarjen tragjike, u dënuan Ndrea Prendi dhe Agim Llupo me 1 dhe 3 vite.

Ndërkaq mbetet e pa identifikuar arma që qëlloi mbi Aleks Nikën për shkak të dëmtimit të rëndë të predhës.

EMISIONET