“E vetmja gjë pozitive ishte që nuk humbëm”, nisin kritikat ndaj Brazilit pas barazimit ndaj Marokut

“E vetmja gjë pozitive ishte që nuk humbëm”, nisin

Brazili e nisi me hap fals Kupën e Botës, duke barazuar 1-1 me Marokun në ndeshjen e parë të Grupit C, rezultat që ka sjellë reagime dhe kritika të shumta në mediat sportive braziliane.

Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti shmangu humbjen falë një goli spektakolar të Vinicius Junior, i cili barazoi avantazhin e hershëm të Marokut të realizuar nga Saibari. Megjithatë, pavarësisht rezultatit, paraqitja e “Seleçaos” është vlerësuar si shqetësuese.

Mediat braziliane kanë theksuar se problemi kryesor nuk ishte barazimi, por mënyra se si luajti skuadra. Sipas analizës së publikuar nga Globo.com, Brazili shfaqi gabime individuale, mungesë organizimi në lojën kolektive dhe agresivitet të ulët në fushë.

“E vetmja gjë pozitive është që nuk humbëm”, ishte një nga komentet që pasqyroi zhgënjimin e opinionit sportiv në Brazil, ku pritshmëritë për ekipin kombëtar janë gjithmonë shumë të larta.

Megjithatë, analistët kujtojnë se nuk ka vend për alarm. Formati i ri i Kupës së Botës me 48 skuadra i jep ekipeve më shumë hapësirë për rikuperim, ndërsa përballë ishte një Marok i fortë, që në Botërorin e Katarit 2022 arriti deri në gjysmëfinale.

Pas javës së parë, kryesimin e Grupit C e mban Skocia, e cila mposhti Haitin me rezultatin minimal 1-0.

Tashmë vëmendja në Brazil është përqendruar te ndeshja e dytë kundër Haitit. Përballë një kundërshtari me më pak traditë dhe potencial futbollistik, fitorja konsiderohet jo vetëm objektiv, por edhe detyrim për ekipin e Ancelottit.

EMISIONET