"50% e buxhetit për a*më"/ Pirro Vengu për fuqinë ushtarake: Ushtria shqiptare futet në epokën e raketave
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka deklaruar se 50% e zërave të buxhetit të mbrojtjes janë të orientuar drejt investimeve strategjike, ku përfshihet edhe blerja e armëve moderne për Forcat e Armatosura Shqiptare.
Sipas Vengut, Shqipëria do të pajiset me raketa Javelin dhe dronë modernë, të siguruar përmes partnerëve strategjikë britanikë dhe amerikanë. Ndërkohë, nga Izraeli do të blihen artileri e lëvizshme, topa, mortaja, kamionë ushtarakë dhe dronë.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se kompania ushtarake shqiptare KAYO ka nisur bashkëpunimin me partnerë izraelitë, në kuadër të rimëkëmbjes së prodhimit të armatimeve në Shqipëri.
Në një kohë kur janë shfaqur tensione mes SHBA-së, Bashkimit Europian dhe NATO-s, ministri Vengu ishte i qartë për pozicionin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.
“Nuk jemi në mes të Washingtonit dhe Brukselit. Jemi brenda Washingtonit dhe brenda Brukselit”, u shpreh Vengu.
Ai komentoi edhe shqetësimin e Serbisë lidhur me marrëveshjen trepalëshe të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
“Serbia të na bashkohet, siç e mendoni? Kemi marrë përgjigje refuzuese. Kemi avancuar me marrëveshje trepalëshe”, tha ministri.
Sa i përket bazës së Pashalimanit, Vengu theksoi se Shqipëria ka një marrëveshje me Turqinë që prej vitit 1992, duke nënvizuar se kjo marrëveshje mbetet në fuqi dhe respektohet.

