Pezullohet testimi i vaksinës së "Oksfordit", dyshohet se shkakton komplikacione
Shkencëtarët anglezë kanë pezulluar testimin e një prej vaksinave më shpresëdhënëse kundër koronavirusit të ri pas dyshimeve se shkakton komplikacione.
Kompania "AstraZeneca" dhe Universiteti i Oksfordit njoftuan se gjatë aplikimit të vaksinës, të paktën një prej vullnetarëve shfaqi reaksion serioz shëndetësor pas vaksinimit.
Vaksina antikovid e ashtuquajtur e "Oksfordit" ka hyrë në fazën finale të testimit me 30 mijë pacientë nga Brazili, Afrika e Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe, ku edhe raportohet incidenti i fundit.
Faza e parë dhe e dytë e vaksinimit vullnetar kaloi me sukses gjatë stinës së verës.
Kompania prodhuese "AstraZeneca" thotë se testimi ndërkombëtar është ndalur përkohësisht deri sa ekspertët e pavarur të analizojnë të dhënat e deritanishme.
Vaksina angleze është një prej gati 180 zgjidhjeve kimike që po studiohen në botë për të rritur imunitetin e njerëzve kundër kovidit-19, një sëmundje që ka vrarë aktualisht afro 900 mijë veta në botë dhe ka infektuar mbi 27 milionë të tjerë.
Një ditë më parë, nëntë firma të njohura të bioteknologjisë u zotuan se vaksinat e tyre eksperimentale do të respektojnë të gjitha standardet e sigurisë dhe efikasitetit përpara se të jenë gati për përdorim për publikun e gjerë.
Deklarata erdhi edhe si reagim pas debateve politike në Amerikë, ku presidenti Donald Trump kërkon që vaksinat të jenë të disponueshme sa më shpejt që qytetarët të mund të votojnë të qetë në zgjedhjet e 3 nëntorit, ndërkohë që opozita demokrate e ka kundërshtuar aprovimin e vaksinave me urgjencë.
Vaksinat eksperimentale janë miratuar për përdorim publik vetëm në Rusi.
Ministria ruse e Shëndetësisë njoftoi të martën se ka nisur shpërndarjen e vaksinës "Sputnik V" për popullatën e gjerë, fillimisht për mjekët dhe mësuesit.
Më shumë se 20 shtete kanë kërkuar rreth 1 miliardë doza të vaksinës ruse edhe pse ajo nuk i ka kaluar të tre fazat e nevojshme që dëshmojnë se ajo është e sigurt dhe efikase.
