Reshjet e shiut përmbytën rrugët në zonën e Astirit në Tiranë. Banorët në rrugën “Milto Sotir Gurra” shprehen se aksi ku kalojnë është bërë u pakalueshëm nga prania e ujit ndersa situata rëndohet më tej në ditët me shi. Qytetarët i bëjnë thirrje bashkisë Tiranë që të mbajë premtimet e dhëna.

Përkeqësimi i motit dhe reshjet e shiut kanë mbushur me ujë gropat të cilat kanë më shumë se 20 vite që kthehen në pellgje në rrugën “Milto Sotir Gurra” në kryeqytet.

Aksi është i gjithi i amortizuar, me gropa dhe baltë duke vënë në vështirësi qytetarët.

Edhe pse është një lagje e re e kryeqytetit, në këtë zonë nuk është vënë dorë nga pushteti vendor. Banorët tregojnë se edhe për fëmijët e vegjël kjo rrugë është problem i madh.

Për më tepër ky segment rrugor është problematik dhe për drejtuesit e mjeteve.
Banorët e lagjes thonë se u kanë premtuar në kohë fushate e më pas nuk janë kujtuar.

“Premtim i bërë çdo ditë por askush nuk i dëgjon” thonë banorët.

Thirrja e tyre shkon për bashkinë e Tiranës që të veprojë për përmirësimin e situatës.
Edhe pse prej kohësh Ora News e ka ngritur këtë problematikë, pas shqetësimeve të përsëritura të banorëve të zonës dhe ankesave që ata i kanë drejtuar Bashkisë së Tiranës, situata mbetet e njëjtë, madje drejt përkeqësimit.