E ftuar në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora ka qenë organozatorja e festave Anisa Musta e cila ka folur më gjatë rreth kësaj pune, dhe marrëdhënia që kanë shqiptarët me organizimin e festave.

Ajo është shprehur se nga viti në vit, shqiptarët po janë më të përkushtuar ndaj organizimit të festave dhe shpenzojnë shuma marramendëse. Shqiptarët për organizimin e një eventi apo dasme mund të shpenzojnë edhe 50-60 mijë euro.

Arjola Shehu: Shpenzojnë shqiptarët për festat?

Anisa Musta: Realisht shpenzojnë. Ka raste që shumë njerëz nuk janë në brendësi të kësaj pune dhe kur dëgjojnë për shumat marramendëse që shpesh herë përdoren për evente të tilla habiten. Është shumë personale dhe në varësi të njeriut që e bën.

Por mund të them që ka nga buxhetet më minimale që janë 200-300 euro për evente të vogla dhe pastaj ka edhe shpenzime marramendëse duke e marrë në total të gjithë shenzimet e eventit jo vetëm dekorin, por edhe lokali, ambjenti, muzika që zgjidhet. Ka shumë elementë që përfshihen tek pjesa e organizimit të një feste. Ka dhe shuma që mund të duken ekstreme.

15 mijë euro është një nga shumat më të vogla që kam dëgjuar në këto festa, por ka edhe dasma ose evente të biznesit që mund të harxhojnë rreth 50-60 mijë euro ose edhe më shumë. Është një industri që ka njohur shumë rritje vitet e fundit dhe njerëzit po shpenzojnë gjithnjë e më shumë.