Pse BE-ja dhe amerikanët po favorizojnë Serbinë?
- Qëndrimi për Kosovën është kuti matës i patriotizmit
Më 2 maj do të takohen në Bruksel Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiçi. Takimi, sipas medieve në Kosovë, ka në fokus Asosacionin. Përveç deklaratave nga disa zyrtarë amerikanë dhe evropianë se Asosacioni nuk është një Republikë e Dytë Srpska në Ballkan, nuk kemi asgjë të shkruar. Fjalët i merr era, thotë populli shqiptar. Ndaj, garancitë duhen me shkrim.
Pse nuk na japin garanci me shkrim aleatët se nuk do të ketë shpërbërje të Kosovës, njëjtë si në Bosnje?
Disa ndërkombëtarë me zërin e vendasve na thonë se kjo s’mund të ndodhë sepse ushtria amerikane garanton sovranitetin. Pyetja, në këtë rast, është – pse s’na fusin në NATO por na mbajnë me gajret? Ata përgjigjen se kjo do kohë. Pyetja, sërish, është – kur Franca tallet me idenë efemere të Komunitetit Politik Evropian, pse amerikanët nuk na garantojnë se do kemi patjetër një nga të dyja – BE-në ose NATO-n?
Ajo që vërejmë së fundmi është një rrethim i Kosovës nga shovinizmi serb, aleat i të cilit, me dëshirë dhe leje euro-amerikane, është bërë edhe kryeministri Edi Rama.
Ndërsa në Ballkan dhe më gjerë po rikthehet gjeopolitika realiste, ngjan se, me shpejtësi, evropianët dhe amerikanët duan të mbyllin ca punë këtu në bahçen e pasme të BE-së, që të merren me ndonjë rajon tjetër.
Çfarë po ndodh?
Kanë shpallur shtet kyç për Ballkanin Serbinë dhe po i japin secilit çfarë kërkon. Për shembull, po i japin kroatëve peshë më të madhe mbi boshnjakët; po mbyllin sytë përpara Milorad Dodikut; hoqën Gjukanoviçin me kërkesë të establishmentit vendas dhe Serbisë; i dhanë “non-grata” Berishës, sepse po u ngatërrohej nëpër këmbë e ca për të kënaqur Edi Ramën…
E gjitha kjo vetëm sa ka dobësuar faktorin shqiptar dhe ka favorizuar atë serb, ndërsa miliarda dollarë dhe euro investime janë derdhur në Beograd. Sot po e përkëdhelin sërish, duke bërë presion mbi Kosovën për Asosacionin. Serbia nuk ka ndërmend të kthehet me sytë nga NATO, ndaj, me çudi, pyes veten – pse gjithë ky ngulm për ta përkëdhelur, teksa Shqipëria dhe Kosova boshatiset? Me kë do e bëjnë betejën në të ardhmen amerikanët me shovinizmi serb, me korçarët që kanë emigruar në Amerikë, me kuksianët e Londrës… se këtu po zbrazet?
Këto strategjitë që hartohen shkel e shko, ja çfarë pasojash japin.
Dikur, ndërsa presidenti Joe Biden erdhi në Shtëpinë e Bardhë, menduam se, më në fund, në vendin e duhur dikush që e njeh mirë Ballkanin. Por, paskeshim gabuar. Senatori Biden qënkesh politikan tjetër nga presidenti Biden. Presidenca ka halle më të mëdha mbi supe. Një mik të mirë e kemi në Shtëpinë e Bardhë, por na ngelet neve ta bëjmë politikën rajonale, jo ta hartojnë ca burokratë që dinë vetëm serbisht, aspak shqip, e ne ta zbatojmë, fiks siç e zbaton me zell projektin serb me vulë amerikane - Ballkani i hapur - kryeministri Edi Rama.
- Qëndrimi për Kosovën është kuti matës i nacionalizmit
Administratat amerikane shkojnë e vijnë, edhe ato në Bruksel, por territoret e dhëna me Asosacion mund të merren vetëm me luftë. Për të shmangur luftën nesër, sot duhet të jemi të bashkuar që të flasim me një zë kundër hegjemonisë serbe në rajon.