"Emmanuel Macron po e braktis konsesin e Evropës"

Gati tre javë pas vizitës në Kinë të presidentit francez po bëhen publike gjithnjë e më shumë detaje irrituese të ujdive me presidentin kinez, shkruan Alexander Görlach në serinë e analizave për DW, "Görlach Global".

"Emmanuel Macron po e braktis konsesin e Evropës"

Nga Alexander Görlach -

Me politikën e re të jashtme, Emmanuel Macron duket se po ndjek një linjë të shkëputjes nga partnerët e Francës. Pas deklaratës së kontestuar, sipas së cilës evropianët nuk duhet të tërhiqen nga SHBA në një luftë me Tajvanin, pasojnë zbulime të ujdive të brendshme mes tij dhe pushtetmbajtësit kinez, Xi Jinping, që të sjellin Ukrainën këtë verë në tryezën e negociatave me presidentin Putin. Macron dëshiron të bashkëpunojë për "planin e paqes" të Kinës.

Një plan, i cili u kritikua nga partnerët e tjerë të vendeve perëndimore liberale, me të drejtë, sepse Pekini aty përdor gjuhën e agresorit rus dhe i jep Ukrainës pjesërisht faj për luftën. Duket se Macron e ndan këtë qasje të Pekinit, thënë ndryshe të Kremlinit. Nuk është rastësi që në të njëjtën kohë me këto publikime, ambasadori kinez në Paris bën të ditur, se shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, në të vërtetë nuk janë shtete vërtet të njohura në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare.

Kthesë në politikën e Ukrainës të Pekinit

Franca me këtë bëhet skena e kthesës 180 gradë të politikës kineze për Ukrainën. Deri më tani Pekini pretendonte gjithmonë, se do të angazhohej për sovranitetin e shteteve, si është përcaktuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Megjithëse Pekini e njeh Ukrainën dhe në vitin 2013 ka nënshkruar një marrëveshje të gjerë ekonomike, nomenklatura e Pekinit nuk mundi të dënonte agresionin rus ndaj një shteti sovran. Kritikët e Kinës e kanë vënë gishtin gjithmonë tek kjo kontradiktë që nga fillimi i luftës. Por Jinping e zgjidh tanimë këtë përmes deklaratës së ambsadorit, se realisht Ukraina nuk është shtet sovran.

Tani gjithkujt duhet t'i bëhet e qartë, se Pekini nuk mund të jetë ndërmjetësues paqeje në këtë konflikt. Xi flet si miku i tij, Putini. Në botëkuptimin e kreut të Kremlinit nuk ka Ukrainë, por vetëm "Rusi të shenjtë", ku bën pjesë edhe territori ukrainas. Putini për këtë rrëmben fëmijët nga Ukraina për t'i "rusifikuar". Ai vjedh thesare arti nga Ukraina për t'i marrë këtij vendi kulturën e vet. Dhe pikërisht këtë njeri, që kërkohet me urdhërarrest ndërkombëtar për krime lufte, Macron do ta ulë në një tryezë me presidentin ukrainas, Zelensky.

Nëse deklarata e Macronit për Tajvanin ishte aksidentale, zhvillimi i fundit për dipomacinë franceze dhe Francën është dëm total. Nga Parisi thuhet, se në Ministrinë e Jashtme janë të shokuar për mënyrën e veprimit të Macron, dhe se sërish ata mbledhin rrënojat. Macron ndodhet nën presion në politikën e brendshme për momentin për shkak të reformës së pensioneve, dhe dëshiron t'u tregojë francezëve përmes një "suksesi" në politikën e jashtme, se me të në krye, Franca ka një njeri të fortë, që mund të flasë si i barabartë me presidentin kinez.

Franca në kursin e Indisë dhe Brazilit

Ata që vuajnë janë ukrainaset dhe ukrainasit, dhe pas tyre njerëzit në Tajvan, për të cilët një sulm kinez ndaj ishullit,edhe falë deklaratës së Macronit bëhet më realist. Franca ndjek kështu një kurs, që nuk është shumë larg atij të Brazilit dhe Indisë. Të dyja shtetet i ngjiten Jinpingut në çështjen e Ukrainës, dhe kërkojnë bisedime paqeje dhe ripërsëritin qëndrimin e Kremlinit.

Për Macron mund të ketë luajtur rol që Parisi hakmerret ende për deal-in "AUKUS" mes SHBA, Britanisë së Madhe dhe Australisë. Të tre shtetet vendosën të pajisin Australinë me nëndetëse atomike, ku modeli i mundshëm nga Franca u mënjanua në favor të një tenderi për SHBA. Pallati Elysee atëherë shkumëzonte nga zemërimi, sepse industrisë së armatimit të Francës i shpëtoi nga dora një marrëveshje miliardëshe. Vërtet që Biden e priti pak më vonë presidentin Macron, por ky gjest me sa duket nuk e ka qetësuar atë. Takimi me Xi Jinping me sa duket po.

Për pushtembajtësin kinez është një sukses i shkëlqyer që të ketë marrë siguri nga një fuqi atomike si Franca dhe dashamirësinë e saj. Me këtë ai shkatërroi qasjen e një politike të përbashkët europiane. Dëmi për aksin Paris-Berlin-Varshavë është i madh. Europa ndodhet para një kthese, sepse Parisi shkëmben miqësinë me partnerët europianë me një aleancë me diktaturën kineze dhe ruse. Nëse Macron nuk e korrigjon pa vonesë gabimin e tij, ai mund të rrezikojë me këtë të gjithë Bashkimin Europian.

Alexander Görlach është studiues në Këshillin për Etikën dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Institutit Carnegie, "Carnegie Council for Ethics in International Affairs" dhe profesor bashkëpunëtor në "Gallatin School" të Universitetit të Nju Jorkut, ku ai mëson Teorinë e Demokracisë. Pas qëndrimeve në Tajvan dhe Honkong, ngjitja e Kinës është bërë një nga temat qendrore të punës së tij. Alexander Görlach jeton në Nju Jork dhe Berlin.

EMISIONET