Masakra e Don Boskos/ “Na fal Mimoza që s’të mbrojtëm dot! Klithmat e mbesës…”

Masakra e Don Boskos/ “Na fal Mimoza që s’të mbrojtëm

Na fal Mimoza që s’të mbrojtëm dot!

Mimoza Paja u qëllua pa mëshirë nga një dorë kriminale mbrëmjen e së dielës në zonën e Don Boskos në Tiranë. Një masakër e tmerrshme me 1 të vrarë e gjashtë 6 plagosur. Klithmat mbesës 10-vjeçare teksa thërriste nënën, tronditën zonën.

E vogla mbeti e lënduar nga ciflat e xhamave që u shpërndanë nga plumbat e armëve.

Ndërsa Mimoza, 60 vjeçe, gjyshja e saj e dashur mbeti pa jetë. Aty në derën e lokalit ku punonte si banakiere, lokal në pronësi të një emri të njohur të botës së krimit: Fation Murati!

Që do duhej të ishte në burg, jo në vilën e tij luksoze.

Moza, siç e thërrisnin të gjithë, kishte patur një jetë të vështirë. Të trishtë. Në moshën 5-vjeçare, ajo, dy motrat dhe vëllai mbetën jetimë. U rritën me shumë vështirësi.

Ajo sikurse dhe motra e vëllai krijuan jetën e tyre.

Moza solli në jetë 3 vajza dhe 1 djalë.

Dukej sikur gjithçka ne jetën e saj po shkonte më së miri.

Por jo. Humbja e vëllait të vetëm do ta trondiste shumë. Dhimbje që nuk e kaloi kurrë.

“Ah sa vuajti” kujton mes lotësh një e afërme e saj. Vitet e fundit ajo nisi punë si banakiere. Ndërsa u zhvendos me qira vetëm 10 metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje.

“Si ua bëri zemra ta qëllonin- vijon më tej e afërmja- për bukën e gojës punonte”.

Moza është viktima e radhës e pafajshme që ekzekutohet nga vrasës gjakftohtë, të cilët nuk kursejnë askënd.

Nuk kursyen as Mozën, atë grua fisnike që rropatej për të rritur mbesën, e cila po rritej nën kujdesin e gjyshes pas divorcit të prindërve dhe martesës së nënës me një shqiptar të Kosovës.

Atë grua që mbylli sytë me një peng të madh, që la pas një vajzë të vogël që me gjase s’do mundet ta harrojë kurrë tragjedinë që i ndodhi në pak sekonda para syve. Që pa gjyshen pa jetë e të mbuluar nga gjaku.

Mimoza, na fal që s’të mbrojtëm dot!

“Hëngshit kokat”, tha dikur i pari i qeverisë. Nuk besoj ta kishte për ty. Sepse ti meritoje respekt e vëmendje.

Mimozë na fal!

Fation Murati duhet të ishte në burg. Sepse nëse shteti do e kishte kyçur në qeli, mbase sot ti do ishe gjallë.

Ai u lirua. Drejtësia i mbylli sytë, edhe pse e dinte kush ishte ai, edhe kur e shpalli në kërkim për masakrën te mbikalimi i Fushë-Krujës ku viktima mbetën: Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.

Se shpjegoj dot si mundi të dalë.

Sepse ai u arrestua për një arsenal armësh. Por mesa duket për të fortët, të tërë mbyllin një sy e një vesh.

Fation Murati ndodhej në vilën luksoze kur ti rropateshe duke larë gotat në banak e pranë teje rrinte mbesa jote.

Plumbat mbi trupin tënd janë plumba që na kanë vrarë sot të gjithëve.

Na fal Mimozë që s’të mbrojtëm dot!

Të gjithë jemi fajtorë!

vrasja atentati don bosko mimoza paja fatjon murati

EMISIONET