Norvegji, fiton qendra e djathtë e Solberg

Norvegji, fiton qendra e djathtë e Solberg

Ndërkohë që janë numëruar 3/4-at e votave të zgjedhjeve parlamentare në Norvegji, blloku i 4 partive të qendrës së djathtë ka fituar 96 nga 169 vende që ka parlamenti norvegjez.

Liderja e qendrës së djathtë në Norvegji, Erna Solberg, pritet të formojë qeverinë e re, pasi kryeministri laburist, Jens Stoltenberg pranoi humbjen në zgjedhje.

Solberg e përshkroi fitoren e saj si “një fitore historike në zgjedhje për partitë e qendrës së djathtë”. Partia e saj konservatore pritet të formojë një qeveri të re, në koalicion me partinë për proges, e cila kundërshton emigracionin.

Stoltenberg tha se do të tërhiqej, pasi të prezantojë buxhetin, muajin e ardhshëm. “Bazuar në traditën parlamentare norvegjeze, do të jap dorëheqjen time dhe të qeverisë time pasi të kem prezantuar buxhetin kombëtar më 14 tetor, kur të ketë edhe qartësi mbi bazat parlamentare për formimin e qeverisë së re”, tha ai.

Lideri i laburistëve, kryeministër që prej vitit 2005, uroi zonjën Solberg për fitoren. Ai tha se partia e tij u përpoq “të bënte atë që s’e ka bërë askush, për të fituar mandatin e tretë radhazi, por rezultoi diçka tepër e vështirë”.

Solberg, 52 vjeç, do të bëhet kryeministrja e dytë femër në historinë e Norvegjisë dhe e para kryeministre konservatore që prej 1990-s.

“Sot votuesit u dhanë një fitore historike në zgjedhje partive të qendrës së djathtë. Ne do t’i japim vendit një qeveri të re” u tha ajo mbështetësve në Oslo:

Këto ishin zgjedhjet e para të përgjithshme në Norvegji, që prej sulmeve nga Breivik, një ekstremist i djathtë, i cili vrau 77 persona në kampin e të rinjve të partisë Laburiste, në 2011.

EMISIONET