Miratimi me urgjencë i Kodit Zgjedhor, 8 eurodeputetë letër Ramës: Të tronditur nga deklaratat tuaj

Miratimi me urgjencë i Kodit Zgjedhor, 8 eurodeputetë letër

Tetë deputetë të Parlamentit Europian i kanë shkruar një letër kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit nuk priti vendimin e Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Eurodeputetët janë shprehur të tronditur nga deklaratat e kryeministrit Rama, teksa i kanë kujtuar këtij të fundit se reforma zgjedhore është kushti më i rëndësishëm nga BE.

“Qershorin e kaluar ne bashkë-iniciuam një rezolutë që u miratua me mbështetje të madhe ndërpartiake, duke rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit në BE sapo Shqipëria të përmbushë 15 kushtet e vendosura nga Këshilli Europian në 15 Mars 2020.

Më e rëndësishmja midis këtyre kushteve është një reformë e mirëfilltë zgjedhore dhe zbatimi i saj i duhur në zgjedhjet tuaja të ardhshme duke filluar me 25 Prill 2021.

Ne u tronditëm kur mësuam se ju thyet Marrëveshjen e 5 Qershorit me Opozitën në gërmën dhe në frymën e saj, përmes miratimit të ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor me qëllim që të të pëfitoni në shpërndarjen e mandateve parlamentare”, shkruhet në letër.

Letra vijon duke theksuar se pritja e opinionit të Komisionit të Venecias ka funksion themelor në përpjekjet e Konferencës se parë Ndërqeveritare, ku pritet drita jeshile për Shqipërinë në BE.

Deputetët e Parlamentit Europian që kanë firmos këtë letër janë Michael Gahler, Sandra Kalniete, Andrey Kovatchev, David McAllister, Zeljana Zovko, David Lega, Vladimir Bilcik dhe Lukas Mandl.

Letra e plotë:

Ne jemi shumë të tronditur nga deklaratat tuaja që tregojnë se ju refuzuat këshillën e Komisionerit dhe dëshironi të shkelni praktikën e vendosur që asnjë miratim i ligjit të mos ndodhë përpara se të vlerësohet Opinioni i Komisionit të Venecias.

Ne, Anëtarët nënshkrues të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, po ju shkruajmë me shqetësimin më të thellë në lidhje me zhvillimet e fundit legjislative në vendin tuaj.

Ju e dini që Grupi i Partisë Popullore Evropiane gjithmonë ka mbështetur dhe shoqëruar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Qershorin e kaluar ne bashkë-iniciuam një rezolutë që u miratua me mbështetje të madhe ndërpartiake, duke rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit në BE sapo Shqipëria të përmbushë 15 kushtet e vendosura nga Këshilli Europian në 15 Mars 2020.

Më e rëndësishmja midis këtyre kushteve është një reformë e mirëfilltë zgjedhore dhe zbatimi i saj i duhur në zgjedhjet tuaja të ardhshme duke filluar me 25 Prill 2021.

Ne u tronditëm kur mësuam se ju thyet Marrëveshjen e 5 Qershorit me Opozitën në gërmën dhe në frymën e saj, përmes miratimit të ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor me qëllim që të të pëfitoni në shpërndarjen e mandateve parlamentare.

Ne jemi vënë në dijeni se Kryetari i Shtetit tuaj i ka kërkuar Komisionit të Venecias një opinion mbi këto ndryshime dhe se Komisioneri Evropian për Zgjerimin ju ka këshilluar në mënyrë të përsëritur që të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve, të prisni opinionin e Komisionit të Venecias dhe t’i përmbaheni atij opinioni.

Ky opinion pritet në dhjetor dhe duhet të pasqyrohet në Kodin tuaj Zgjedhor përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Prillit 2021 që, siç deklarohet në kushtet, duhet të jenë të lira dhe të drejta.

Kjo është shumë e rëndësishme në funksion të përpjekjeve për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare, e cila shpresojmë të japë dritën e saj jeshile jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për Shqipërinë.

Ne jemi shumë të tronditur nga deklaratat tuaja që tregojnë se ju refuzuat këshillën e Komisionerit dhe dëshironi të shkelni praktikën e vendosur që asnjë miratim i ligjit të mos ndodhë përpara se të vlerësohet Opinioni i Komisionit të Venecias.

Për këtë arsye ju bëjmë thirrje që të vendosni të parin interesin e demokracisë shqiptare dhe perspektivën e saj evropiane dhe të tërhiqeni nga votimi i ndryshimeve në Parlament derisa të flasë Komisioni i Venecias.

Sinqerisht,

Michael Gahler, Gjermani

Sandra Kalniete, Letoni

Andrey Kovatchev, Bullgari

David McAllister, Gjermani

Zeljana Zovko, Kroaci

David Lega, Suedi

Vladimir Bilcik, Sllovaki

Lukas Mandl, Austri

LEXO EDHE: Rama ‘nuk pret asnjë sekondë’, Europa rrit presionin, Meta apel për reflektim

Vendi Edi Rama Lajme Lajmi i fundit BE Komisioni i Venecias eurodeputete integrimi ne be Aktualitet

EMISIONET