Pavarësisht “presionit” ndërkombëtar, kryeministri Edi Rama duket I vendosur të rivotojë në parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pa pritur më parë opinionin e Komisionit të Venecias.

Teksa fliste në konferecën për mediat në Rinas, pas rikthimit nga Libani, kreu i mazhorancës deklaroi se nuk do të humbej asnjë sekondë për këtë çështje.

Dhe në sinkron me Ramën ishte edhe Komisioni Parlamentar i Ligjeve, i cili rrëzoi poshtë dekretin e presidentit Ilir Meta.

Meta i kërkoi të prisnin Venecian

Para se të niste mbledhja e komisioinit te ligjeve, Presidenti Ilir Meta iu drejtua me një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë të priste opinionin e Komisionit të Venecias.

Gjate mbledhjes Këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj tha se çdo ndryshim përbën një cënim të pastër të rregullave të lojës dhe se cënonte marrëveshjen e 5 qershorit.

Ndërkohë të shumta kanë qenë edhe reagimet nga politika europiane, e cila i kërkon mazhorancës të reflektojë mbi dekretin e presidentit të Republikës dhe të presë opinionin e “Venecias”.

Oliver Varhelyi

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi, në postimin e tij, e cilësoi si të zgjuar vendimin e Kryeministrit Rama për ta pritur opinionin e Komisionit të Venecias, por theksoi se Kuvendi nuk duhet të votojë para se ai të mbërrijë. Sipas zyrtarit të lartë të Bashkimit Europian, një lëvizje e tillë do të tregonte maturi nga ana e shtetit shqiptar.

“I kënaqur që Kryeministri mirëpret mendimin e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese të korrikut. Prandaj do të ishte maturi që të pritej opinioni para se të rivotohej në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”

Andrey Kovatchev, nënkryetar i Grupit të Partive Popullore Europiane (EPP)

Nënkryetari i grupit të Partive Popullore Evropiane, Andrey Kovatchev, mbështet qëndrimin e komisionerit për Zgjerim në BE, i cili apeloi Kuvendin e Shqipërisë të presë opinionin e Komisionit të Venecias për votimin e dekretit të Presidentit për Kodin Zgjedhor.

Unë mbështes qëndrimin e Komisionerit Oliver Varhelyi! Kodi Zgjedhor duhet të jetë në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias në çdo rast, pasi do të ishte në favor të demokracisë në Shqipëri. Unë i bëj thirrje Kryeministrit Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë që ta respektojnë këtë”.

Michael Gahler

Ndërsa eurodeputeti gjerman, Michael Gahler, bëri apel që të respektohet Komisioni i Venecias nga të gjitha palët në Shqipëri.

 “Deklarata e Komisionerit është e mençur, pasi institucionet si Komisioni i Venecias duhet të respektohen nga të gjitha palët e interesuara”.

David Lega

Një ditë me parë, shumë konkret ishte edhe eurodeputeti dhe njëkohësisht raportuesi për Shqipërinë në PPE, David Lega.

Në një reagim në “Twitter”, Lega, duke bërë thirrje që Kuvendi dhe qeveria të presin opinionin e “Venecias”, theksoi se një vendim i tillë do të fliste për qasje demokratike.

“Parlamenti i Shqipërisë dhe Kryeministri Rama duhet të presin për mendimin e Komisionit të Venecias. Kjo do të ishte qasje demokratike. Zgjedhjet të lira e të ndershme në prill 2021”.

Përgjigja nga Komisioni i Venecias

Një ditë më parë, presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, i kthehu përgjigje letrës së presidentit Ilir Meta duke theksuar se, opinioni mbi Kodin e ri Zgjedhor do të jepet në dhjetor.

Por a do të presë Edi Rama dhe mazhoranca deri në dhjetor? Nesër është testi i parë…