Lefter Maliqi u rikthye në LSI, shtëpinë e vjetër politike nën siglën e të cilës do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit në Qarkun e Beratit.

“Unë kthehem moralisht tek LSI dhe është dëshira ime për t’u kthyer,” tha Maliqi.

Do të mbajë postin e koordinatorit politik dhe emri i fundit në listën që sipas tij do të jetë fituese, si bast politik e moral.

“Zgjedhja e numrit 7 ka qenë zgjedhja ime thjesht për kontributin moral, votës dhe peshës elektorale që kam në qarkun e Beratit dhe fitorja nuk më takon mua, por i takon ekipit drejtues,” shtoi Maliqi.

Objektivin thotë se e ka të qartë, ndaj dorezën e sfidës e hedh në kampin e socialistëve.

“Motivi që unë kam ardhur te LSI është sepse socialistët e zhgënjyer elektorati gri më ka thënë përfaqëso këtë forcë,” tha ai.

Maliqi ka bindjen se ky është viti i ndryshimit, ndaj ka një paralajmërim nëse preket vota.

“Ngul këmbë që ai që guxon të vjedhë votën, qofshin këta edhe policë, ai që guxon të manipulojë votën, ai që guxon të bëjë presion me fjalë do ketë ndëshkimin më të rëndë,” tha Maliqi.

Lefter Maliqi është themelues i LSI në Berat, ndërsa dy vitet e fundit thotë se i ka bërë Edi Ramës opozitë në kuvend.