Diaspora i jep hov protestës, Andoni: Qeveria duhet të reflektojë përballë presionit qytetar!
Pjesëmarrja e diasporës në protestën e fundit qytetare ka sjellë një rritje të ndjeshme të mobilizimit dhe energjisë në shesh. Analisti Ben Andoni, në një intervistë për Ora News, vlerësoi se protesta ka shënuar një "kërcim sasior" krahasuar me ditët e mëparshme, ndërsa theksoi se organizimi dhe qartësimi i kërkesave do të jenë vendimtare për suksesin e saj.
Sipas Andonit, prania e të rinjve të ardhur nga diaspora i ka dhënë protestës jo vetëm numra, por edhe frymë dhe motivim. Ai tha se nëse protestuesit arrijnë të organizohen më mirë, të hartojnë një manifest dhe të fokusohen te kërkesat konkrete, mund të ushtrojnë presion të mjaftueshëm për të detyruar qeverinë të rishikojë disa prej angazhimeve të saj.
Analisti kujtoi se një nga kërkesat kryesore të protestuesve, ajo për rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura, është përfshirë edhe në rezolutën e Parlamentit Europian. Megjithatë, ai e konsideroi të vështirë realizimin e kërkesave për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama përmes rrugëve institucionale, duke argumentuar se opozita nuk gëzon besimin e plotë të protestuesve dhe se mekanizmat politikë për ndryshime të tilla mbeten të kufizuar.
Andoni u shpreh se protesta po përcjell një mesazh të fortë moral ndaj qeverisë, duke treguar sipas tij se është cenuar marrëveshja mes qytetarit dhe pushtetit. Ai kritikoi gjithashtu reagimet e kryeministrit ndaj protestave, duke i cilësuar të përqendruara te detaje dytësore dhe te pretendimet për ndikime të jashtme.
Duke u ndalur te debati për projektet në bregdet dhe zonat e mbrojtura, Andoni tha se organizatat mjedisore kanë ngritur prej kohësh shqetësime për ndryshimet ligjore dhe zhvillimet në zona si Zvërneci dhe Butrinti, por sipas tij reagimi publik ka qenë i kufizuar. Ai vuri në dukje se edhe ekspertët e ekonomisë janë të ndarë mes përfitimeve ekonomike që premtojnë investimet dhe kostove të mundshme mjedisore.
Sipas Ben Andonit, forca e protestës do të varet nga aftësia e saj për t'u organizuar dhe për të mbajtur gjallë presionin qytetar. Ndërsa ndryshimet politike të menjëhershme duken të vështira, ai beson se mobilizimi i qytetarëve dhe përfshirja e diasporës mund të ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë dhe në rishikimin e projekteve që kanë ngjallur kundërshti të forta publike.
Ben Andoni: Do të shoh çështjen në një parashtrim të vetëm. Në krahasim me ditët e fundit, kjo protestë ditën e djeshme ka bërë gati një kërcim sasior. Masiviteti ngjante me masivitetin e ditëve të para. Dhe kuptohet frymëzimi kryesor ishin djemtë e ardhur nga diaspora. Djemtë dhe vajzat e ardhura nga diaspora.
Ata jo vetëm i dhanë hov, jo vetëm i dhanë energji, por i dhanë dhe shpirt të gjithë protestës. Ju po më thoni që a është e mundur që në qoftë se ata do insistojnë. Në qoftë se do insistojnë, në qoftë se do jenë të organizuar, në qoftë se do përgatisin një manifest, në qoftë se do dinë të orientohen realisht për kërkesat e tyre, realisht se si mund t'i realizojnë. Ju e dini që deri tani janë pesë kërkesa zyrtare. Nga të cilat një nga kërkesat kryesore, ajo për rishikimin e zonave të mbrojtura tashmë është referuar dhe në rezolutën e Parlamentit Europian. Unë besoj që mund të shkojë drejt një qëllimi. Dhe qëllimi është që qeveria të tërhiqet nga shumë prej angazhimeve të saj.
Por përsa i përket dorëheqjes në këto momente shikoj shumë të vështirë. Dorëheqja ka disa shkallë. Duhet kërkuar votëbesimi zotit Rama. Përballë ju e dini që ka një opozitë që është njësoj e anatemuar nga pjesa e protestuesve. Pra, nga ana institucionale është shumë e vështirë për ta hedhur poshtë. Por presioni shumë i madh qytetar, përfaqësimi demokratik prej tyre, normalisht nga ana morale po i tregon qeverisë së zotit Rama që ka shumë probleme dhe ka prishur marrëveshjen me qytetarin e vet. Sepse të drejtosh një vend ke përballë një marrëveshje jo thjesht politike por një marrëveshje morale.
Në këtë sens po besoj që edhe zoti Rama ka filluar ta kuptojë tashmë, megjithëse prej kohësh unë mendoj që ai nuk e shikon. Deklaratat publike duket se jo në fakt, ai lidhet gjatë gjithë kohës me projektin e Zvërnecit, ndërkohë që në shesh janë me mijëra qytetarë që protestojnë dhe artikulojnë pakënaqësi, për këtë në fakt nuk është se ka pasur një përgjigje. Jo, ka një përgjigje sepse ti shikon reagimin e zotit Rama që është një reagim jo normal.
Reagim i cili kapet me detaje gati minorë dhe sidomos me akuzat e vazhdueshme për ndikimin e jashtëm. Këto zakonisht bëhen nga autokratë kudo ose nga njerëzit lider që janë si zoti Rama që gjendet përballë presioneve gjithmonë ja dedikojnë protestat e vendit të tyre ja dedikojnë ndikimeve të huaja. Për shembull zoti Vuçiç thoshte për ndikim të huaj, ndërsa mediat afër tij arritën thoshin që kanë ndikim deri nga Rusia.
Në fakt, të gjitha protestat unë kam përshtypjen se kanë frymëzime të tilla. Por në këtë rast gjendemi përballë një paradoksi shumë të madh. Paradoksi është që shoqëritë e mjedisit kanë kohë, për shembull unë jam pjesë e njërës prej këtyre shoqatave dhe ka kohë që është luftuar shumë për ligjin për zonat e mbrojtura. Dhe publiku jo vetëm s'ka reaguar, jo vetëm s'i ka bërë përshtypje, por kur ka parë dhe cinizmin e zyrtarëve, ka qenë akoma më inaktiv.
Dhe ju e dini që rishikimi i këtij ligji bëri që të vazhdonte ideja për Zvërnecin, të bëhej ai ndërtimi në Butrint që akoma s'përmendet, po për mua është akoma më i dhimbshëm sesa ky i Zvërnecit, e të tjera e të tjera. Janë lëshime pafund domethënë që i janë dhënë bregdetit tonë. Dhe është e vërtetë, një nga parullat e njerëzve që janë në protestë "që mos e shisni Shqipërinë", në fakt Shqipëria është shitur, më vjen keq ta them. Në këtë rast, insistimi i zotit Rama ka një paradoks të madh brenda, se po ta ndiqni me kujdes.
Banorët që janë në Vlorë kryesisht duan që projekti të bëhet, sepse mendojnë shumë për interesin e tyre dhe nuk mendojnë shumë për të themi çfarë pasojash mund të ketë kjo për mjedisin, impaktin që mund të ketë në ekonomi. Dhe për shembull ka ekonomistë, edhe ekonomistët po t'i shikoni me kujdes janë të ndarë në dy pjesë.

