VARËSIA DIGJITALE NË RRITJE! Përdorimi i tepërt i telefonave po dëmton shëndetin mendor të fëmijëve
Ekspertët kanë ngritur alarmin se përdorimi i pakontrolluar i telefonave dhe rrjeteve sociale po dëmton seriozisht shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve, duke rritur ankthin, depresionin, problemet me gjumin dhe shikimin. Sipas tyre, kompanitë e teknologjisë po nxisin varësinë digjitale.

Ekspertët kanë ngritur alarmin për ndikimin e thellë që ekranet dhe rrjetet sociale po kanë në shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve.
Ata thonë se përdorimi i pakontrolluar i teknologjisë përbën çështjen më urgjente të shëndetit publik të kohës sonë dhe qeveritë kanë dështuar të mbrojnë brezin e ri.
Mjeku i njohur Rangan Chatterjee, rrëfen rastin e një 16-vjeçari që kishte përfunduar në spital pas një tentative vetëvrasje.
Në vend që të niste menjëherë trajtimin me antidepresivë, ai vendosi të analizonte stilin e jetesës së adoleshentit.
U zbulua se ai kalonte shumë orë para ekranit, sidomos në mbrëmje.

Pas vendosjes së rregullave të thjeshta fikja e pajisjeve një orë para gjumit dhe kufizimi gradual i rrjeteve sociale, gjendja e tij u përmirësua ndjeshëm brenda pak javësh.
Mjekë e psikogolonë theksojnë se pasojat e përdorimit të tepërt janë të shumta: rritje e ankthit dhe depresionit, çrregullime të gjumit, probleme me shikimin dhe qëndrimin, si dhe vonesa në zhvillimin e gjuhës tek fëmijët e vegjël.
Ata theksojnë se çdo orë shtesë para ekranit rrit ndjeshëm rrezikun e miopisë, ndërsa ekspozimi i hershëm ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme online është gjithnjë në rritje.
Sipas ekspertëve, kompanitë e teknologjisë kanë ndërtuar modele biznesi që synojnë varësinë digjitale, ndërsa fëmijët janë më të pambrojturit, pasi pjesa e trurit përgjegjëse për vetëkontrollin zhvillohet plotësisht vetëm pas moshës 25 vjeç.


