Dy viktima për parkimin, ç'po ndodh me shqiptarët? Flet psikologu Tafa: Kur dikush ndjen se po poshtërohet...
I ftuar në një lidhje direkte në Ora News, psikologu klinik Eduard Tafa analizoi ngjarjet e fundit të rënda, ku konflikte të çastit në trafik përfunduan në pasoja fatale.
Sipas tij, ajo që duket si shkak një parakalim i gabuar, një parkim që bllokon rrugën apo një sinjal borie – është vetëm momenti i dukshëm. Problemi i vërtetë qëndron në atë që ndodh mes provokimit dhe reagimit ekstrem.
“Një provokim i vogël shihet si banal, por ne nuk dimë gjendjen e brendshme të personit. Nuk dimë si është i ndërtuar emocionalisht dhe sa kontroll ka mbi veten.”- tha ai.
Tafa shpjegon se persona me impulsivitet të lartë dhe vetëkontroll të ulët e përjetojnë një situatë të tillë si sulm personal. Një shikim, një fjalë apo një gjest mund të perceptohet si cenim i identitetit dhe i reputacionit.
“Kur dikush ndjen se po poshtërohet, kalon shpejt nga debat në konflikt. Nëse ka predispozitë impulsive, e ka shumë të vështirë të tërhiqet në kohë.”- shtoi psikologu.
Ai shton se mjedisi ku rritet individi ka ndikim të drejtpërdrejtë. Nëse dhuna është parë si mënyrë për të zgjidhur konfliktet, ajo mund të përdoret edhe në situata të përditshme.
“Kur dhuna normalizohet në familje apo në shoqëri, komunikimi i shëndetshëm mbetet i pazhvilluar. Konflikti zgjidhet me forcë.”- u shpreh psikologu.
Sipas psikologut, stresi, papunësia, problemet familjare dhe përdorimi i substancave rrisin rrezikun e reagimeve të pakontrolluara.
“Kur impulsiviteti rritet, aftësia për të arsyetuar ulet. Instinkti merr kontrollin dhe pasojat janë të rënda.”- nënvizoi Tafa.
I pyetur nëse mund të flitet për diagnoza konkrete në këto raste, Tafa u shpreh se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa njohur nga afër personat e përfshirë.
Ai kërkoi kujdes nga mediat në etiketimin e menjëhershëm të shëndetit mendor si shkak.
Ngjarjet që nisin nga një moment i vogël në rrugë, sipas tij, janë rezultat i një kombinimi faktorësh personalë dhe shoqërorë.
Kuptimi i këtij zinxhiri mbetet thelbësor për të parandaluar përsëritjen e tyre.


