Shia LaBeouf dhe Mia Goth i japin fund lidhjes?

Shia LaBeouf dhe Mia Goth i kanë dhënë fund martesës së tyre rreth një vit më parë, raportojnë burime për Page Six. Ende nuk dihet nëse çifti ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për divorc.
Sipas një burimi tjetër, aktori i njohur për rolin në Transformers është zhvendosur në New Orleans pas ndarjes, për të qenë më pranë familjes së tij.
Lajmi për ndarjen vjen pak pasi 39-vjeçari u arrestua në New Orleans, në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi dyshohet se u përfshi në një përplasje fizike gjatë festimeve të Mardi Gras. Ai është akuzuar për dy raste dhe po mbahej në Orleans Parish Prison, ku pritet të dalë para gjykatës.
LaBeouf dhe Goth u njohën në vitin 2012 në xhirimet e filmit Nymphomaniac: Vol. II, që shënoi debutimin e madh në kinema për aktoren britanike. Ata u martuan në një ceremoni në Las Vegas në vitin 2016.
Çifti pati një marrëdhënie të trazuar dhe u ndanë për herë të parë në vitin 2018, duke nisur procedurat e divorcit.
Megjithatë, në vitin 2020 u panë sërish bashkë dhe me unaza martese, çka ngriti dyshime për ribashkim – megjithëse asnjëri nuk e konfirmoi publikisht.
Në vitin 2022, ata u bënë prindër për herë të parë. Po atë vit, aktori i filmit Holes foli hapur për mbështetjen që kishte marrë nga bashkëshortja në një periudhë të vështirë të jetës së tij, duke thënë se ajo “i kishte shpëtuar jetën”.
Para marrëdhënies me Goth, LaBeouf është përfolur për romanca me disa emra të njohur, përfshirë Megan Fox, Carey Mulligan dhe FKA Twigs.
Këngëtarja FKA Twigs e ka akuzuar atë për abuzim gjatë lidhjes së tyre në vitin 2018, akuza të cilat aktori i ka mohuar./Lapsi.al


