Kush është Gentjan Marku, i ekstraduar nga Spanja dhe pjesë e dosjes '339'
Një 29 vjeçar u arrestua në Spanjë me porosi të drejtësisë shqiptare, i akuzuar për një sërë veprash penale.
Gentjan Marku ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2018, ka vendosur masën e sigurimit ‘Arrest me burg’, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’, ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’, e kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të ‘Grupit të strukturuar kriminal’, ‘Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Marku mësohet se ka qenë pjesë e dosjes “339” së bashku me dy nipat e ish-deputetit Arben Ndoka, Samuel dhe Vilson Ndoka.
Hetimet kishin nisur në vitin 2016 në lidhje me veprimtaritë kriminale të grupit të strukturuar, ku ka rezultuar se personat e arrestuar kanë konsumuar veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
"Shtetasi G. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike”, njofton Interpol Tirana.
Përgjatë periudhës së hetimit, të ndaluarit kanë rezultuar të përfshirë në 13 raste të trafikimit të lëndëve narkotike si kanabis sativa apo edhe drogërave më të forta. Sekuestrimi i tyre ka ndodhur në Itali dhe jo vetëm, teksa për më shumë lehtësira në organizimin e tyre, ky grup i strukturuar kishte arritur të ushtronte ndikimin edhe mbi funksionarët e Policisë.
Prokuroria ka pohuar se Avdylajt së bashku me A. Hoxha (i shpallur në kërkim), që dyshohet se ka krijuar laboratorin e drogës në qytetin e Hasit, disa shtetas turq dhe disa të përfshirë të tjerë, kishin planifikuar ta transportonin lëndën narkotike jashtë vendit.
