"Vjen" nesër “Amerikan”, një prej shfaqjeve më të rëndësishme të sezonit
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është gati për shfaqjen “Amerikan”, e cila do të vijë në datat 3, 4, 5, 6 dhe 7 prill.
Përfaqësues të kastit të shfaqjes “Amerikan” ndanë detaje të temës që trajton kjo shfaqje, duke zbuluar një lidhje të mrekullueshme mes saj dhe realitetit të përditshëm.
Regjisorja Ina Morinaj ftoi të pranishmit të bashkohen në një përvojë të jashtëzakonshme, duke theksuar se, çdo person mund të ndjehej i lidhur me ngjarjet në skenë, pasi realiteti është përfaqësuar me vërtetësi.
Aktorët treguan se si shfaqja shpalos humbjen e vlerave të jetës, një temë që reflekton realitetin aktual ku çdo ditë ballafaqohemi me dilema etike dhe morale.
Nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj çështjeve të rëndësishme deri te aktet e dhunës, shfaqja jep një analizë të thellë të komplikimeve të jetës së përditshme.
“Amerikan” është një komedi e zezë e pasur me surpriza dhe kthesa të papritura, e cila reflekton situatat komplekse dhe marrëdhënien e tre personazheve kryesorë të luajtura nga Ledion Zoi, Linda Jarani dhe Lulzim Zeqja.
Fabula ndjek rrugën e Suzanës, e cila bëhet objekt i konflikteve midis dy miqve, Mic dhe Majk. Teksti ka mesazhe të rëndësishme për publikun përmes të cilave “Amerikan” premton të kthehet në një prej shfaqjeve më të mira të sezonit teatror. /ATSH