Viktor Hygo, njeriu që i mëkoi shpirtit të botës zërin e thellë të një përjetimi tronditës

Këtë të enjte kujtohet lindja e një prej figurave më të mëdha të letërsisë botërore, shkrimtarit francez Victor Hugo, i cili erdhi në jetë më 26 shkurt 1802.
Autor i kryeveprave si Les Misérables dhe Notre-Dame de Paris, Hugo mbetet një nga poetët, romancierët dhe mendimtarët më me ndikim të shekullit XIX, duke shënjuar thellë jo vetëm letërsinë, por edhe filozofinë politike, humanizmin dhe debatin shoqëror europian.
Për shkak të bindjeve të tij kundër regjimit të Napoleonit III, Hugo kaloi gati dy dekada në mërgim në ishujt Channel, ku krijoi pjesën më të madhe të veprave të tij madhore, përfshirë romanin monumental Les Misérables. Gjatë kësaj periudhe, ai u shndërrua edhe në një zë të fortë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, duke kundërshtuar dënimin me vdekje, varfërinë ekstreme dhe pabarazitë sociale.
Pak i njohur për publikun e gjerë është fakti që Hugo ishte edhe një piktor autodidakt, autor i mijëra vizatimeve me stil të errët e fantastik, të cilat sot konsiderohen pararendëse të rrymave moderne artistike.
Vepra e tij, e shtrirë nga poezia te romani social, vijon të frymëzojë breza lexuesish në mbarë botën, duke e mbajtur autorin si një zë të përhershëm të lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Me romanin “Të mjerët”, Viktor Hygo i mëkoi shpirtit të botës zërin e thellë të një përjetimi tronditës
Kur Viktor Hygo mbaroi romanin e tij monumental Të mjerët, priti për vizitë një mik të ngushtë. Biseda u përqendrua thuajse krejt mbi këtë vepër, e cila sapo kishte nisur të frymonte në faqet e dorëshkrimit, si një univers i ri ku bashkëjetonin dhimbja, shpresa, dënimi dhe shpengimi. Hygo rrëfeu disa nga përjetimet më të forta që e kishin shoqëruar gjatë krijimit të saj, duke ndarë me mikun jo thjesht mendime, por një lidhje të thellë shpirtërore me dramën e njerëzimit që ai kishte endur në roman.
Në mbyllje të bisedës, me një përzierje modestie dhe krenarie, Hygo lëshoi një krahasim të guximshëm, që më shumë se një pohim, ishte një manifest: Dante Aligeri, me "Komedinë Hyjnore", krijoi ferrin përmes poezisë; unë, me "Të mjerët", jam përpjekur ta krijoj ferrin përmes realitetit.
Ky pohim mbetet një çelës për të hyrë në zemrën e veprës. Të mjerët (frëngjisht Les Misérables), i botuar për herë të parë në vitin 1862, është shumë më tepër se një roman: është një anatomi e pabarazisë, një tribunë e akuzës ndaj padrejtësive sociale, një psalmodi për dinjitetin njerëzor. Nëpërmjet figurës së Zhan Valzhanit, ish-i dënuari që përpiqet të ndërtojë një jetë të re, por që ndiqet pareshtur nga inspektori Zhaver, Hygo shpalos jo vetëm dramën e një individi, por kryqëzimin e fatit të të mjerëve me makinerinë e pandjeshme të shoqërisë.
Tema të mëdha si drejtësia, mëshira, morali, besimi dhe transformimi i njeriut përshkojnë veprën si shtylla themelore. Çdo personazh, nga Kose-ta e pafajshme, te Eponina e brishtë, te Gavroshi heroik, është një metaforë e jetës së njerëzve të shtypur që jetojnë mes varfërisë dhe përbuzjes, por që ruajnë ende një shkëndijë drite.
Romani është një përzierje magjepsëse e dramës personale dhe sfidave politike të kohës, një epikë e dhimbjes dhe shpresës që, edhe sot pas më shumë se një shekulli e gjysmë, nuk e ka humbur fuqinë e saj tronditëse. Ai është një akt akuze kundër indiferencës, një homazh për dinjitetin e njeriut dhe një testament se arti mund të bëhet zë për ata që nuk kanë zë.
Të mjerët mbetet një nga veprat më të dashura dhe më të lexuara të letërsisë botërore, jo thjesht sepse rrëfen një histori të paharrueshme, por sepse i jep shpirtit të botës një pasqyrë ku njerëzimi sheh vetveten në mes të ferrit, por edhe të shpresës.


