U shua zëri i Estradës së Fierit/ Todi Llupi përcillet me lot nga familjarët dhe kolegët artistë

Teatri “Bylis” në Fier u kthye sot në vendin e lamtumirës për aktorin e njohur Todi Llupi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 78-vjeçare. Familjarë, miq, kolegë artistë dhe përfaqësues të institucioneve morën pjesë në homazhet e zhvilluara në nder të figurës së rëndësishme të skenës shqiptare.
Në një atmosferë të mbushur me emocione, aktorët Luftar Paja, Pëllumb Kulla dhe Arqile Lipe sollën kujtime për kolegun e tyre, duke e cilësuar largimin e tij një humbje të madhe për teatrin dhe artin shqiptar.
Todi Llupi u bë pjesë e Estradës Profesioniste të Fierit në vitin 1971 dhe për shumë vite u kthye në një nga emrat më të dashur të skenës vendase. Me interpretimet e tij, ai fitoi afërsinë e publikut dhe la pas role që mbeten të kujtuara ndër breza.
Një nga rolet më të njohura të karrierës së tij ishte ai i Malos në parodinë “Do martojmë Malon”, një nga veprat më të spikatura të teatrit të Fierit.
Përveç skenës teatrale, Llupi interpretoi edhe në filma artistikë, duke treguar një tjetër dimension të talentit të tij. Në filmin “Amnistia” të regjisorit Bujar Alimani, ai solli rolin e Remziut, një personazh dramatik që u vlerësua për interpretimin e tij të veçantë.
Edhe në vitet e fundit të karrierës, Todi Llupi vijoi të ishte pranë teatrit. Ai interpretoi në komedinë satirike “Shshsh... ule zërin”, me tekst të Pëllumb Kullës dhe regji të Leka Bungos.
Për kontributin e tij në artin skenik, në vitin 1989 Todi Llupi u nderua me titullin “Artist i Merituar”, duke mbetur një nga figurat e rëndësishme të historisë së teatrit shqiptar.


