SOT... jeto sikur çdo përqafim të jetë i fundit, çdo fjalë një amanet, çdo shikim një përjetësi

SOT... jeto sikur çdo përqafim të jetë i fundit,

Gabriel García Márquez besonte se ekziston gjithmonë një e nesërme, dhe jeta, edhe kur na lodh, edhe kur na plagos, na jep ende mundësi të tjera për t’i bërë gjërat siç duhet.

Sikur ta dija se sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të mbështillja me një përqafim të gjatë, të ngrohtë, si një lutje e heshtur, dhe do t’i kërkoja Zotit të më lejonte të bëhesha roja i shpirtit tënd, rojtar i qetësisë sate, i frymëmarrjes sate të pafajshme.

Sikur ta dija se kjo do të ishte hera e fundit që do të të shihja teksa dilje nga dera, do të të përqafoja më fort se kurrë, do të të jepja një puthje që të zgjaste sa një jetë, e pastaj do të të thërrisja sërish, vetëm për të të dhënë edhe një tjetër, sikur dashuria të mos mjaftonte kurrë me një herë të vetme.

Sikur ta dija se ky do të ishte zëri yt i fundit që do të dëgjoja, do ta regjistroja çdo fjalë, çdo frymëmarrje, çdo heshtje mes fjalëve, që të mund ta dëgjoja pafundësisht, sa herë që malli të më mbyste.

Sikur ta dija se këto ishin çastet e fundit që sytë e mi do të të shihnin, do të të thosha “të dua” pa frikë, pa kursim, pa asnjë hamendje, dhe do të supozoja, edhe pse jo logjikisht, se ti e kishe ditur gjithmonë.

Ne mashtrohemi shpesh duke besuar se ekziston gjithmonë një e nesërme. Se jeta na jep pafund mundësi për t’i ndrequr gjërat. Por kur gabimet ndodhin dhe koha na ikën nga duart, na mbetet vetëm e sotmja, ky çast i brishtë, i pakthyeshëm.

Do të doja të të thosha sa shumë të dua. Do të doja të të siguroja se kurrë, në asnjë rrethanë, nuk do të të harroj.

E nesërmja nuk është e garantuar për askënd, as për të riun, as për të moshuarin. Sonte mund të jetë hera e fundit që sheh ata që do. Prandaj mos prit. Mos e shty. Bëje sot. Thuaje sot. Sepse ndonjëherë e nesërmja nuk vjen kurrë.

Dhe po, do të pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, për një përqafim, për një puthje, sepse ishe tepër i zënë duke ndjekur ëndrra që nuk e dinin sa shumë i doje.

Mbaji pranë ata që dashuron. Thuaju me zë të ulët, si një sekret i shenjtë, sa shumë ke nevojë për ta. Dashuroji pa ekonomi ndjenjash. Sillu me mirësi. Gjej kohë për ta.

Thuaj “më vjen keq”.

Thuaj “më fal”.

Thuaj “faleminderit”.

Thuaj të gjitha fjalët e dashurisë që di.

Sepse askush nuk do të të mbajë mend për mendimet që nuk i the kurrë me zë.

Prandaj mos e mat jetën me ditët që vijnë, por me fjalët që ke guximin t’i thuash sot. Mos e ruaj dashurinë për një kohë më të përshtatshme, sepse koha nuk pyet kurrë nëse jemi gati. Jeto sikur çdo përqafim të jetë i fundit, çdo fjalë një amanet, çdo shikim një përjetësi e vogël. Sepse ajo që jep sot me zemër, nuk humbet kurrë, bëhet kujtesë, bëhet dritë, bëhet jetë që vazhdon edhe kur ne heshtim.

Sot, se nesër, ndoshta nuk do të mundem, sepse, ndoshta nuk do të jem.

Përgatiti: Albert Vataj

EMISIONET