“Kur arrita te ajo pjesë, u përlota"/ Christopher Nolan rrëfen momentin që e bindi të realizonte “The Odyssey”

Christopher Nolan ka zbuluar historinë personale që ndikoi në vendimin e tij për të sjellë në ekran “The Odyssey”, duke treguar se një nga momentet më të rëndësishme të veprës së Homerit lidhet me përvojën e tij me qenin e familjes, Charlie.
Në një intervistë për BBC Radio 1, regjisori rrëfeu se skena e ribashkimit të Odiseut me qenin e tij besnik, Argosin, ishte ajo që e preku më shumë gjatë leximit të eposit. Për të, kjo skenë i dha një kuptim të ri historisë së kthimit të heroit pas shumë vitesh larg.
Në poemën e Homerit, Argosi pret për vite të tëra kthimin e të zotit. Kur Odiseu rikthehet në shtëpi dhe qeni e njeh, ai vdes i qetë pasi ka parë edhe një herë njeriun që kishte pritur.
Nolan tregoi se nuk ishte rritur me qen dhe se familja e tij mori një qen vetëm pasi fëmijët e tij u larguan për në universitet.
“Unë nuk jam rritur me qen. Kur fëmijët e mi ishin të vegjël, na kërkonin vazhdimisht të merrnim një, por nuk e bëmë kurrë. Vetëm pasi ata shkuan në universitet morëm Charlie-n. Një qen ta ndryshon jetën”, tha regjisori.
Sipas Nolanit, pikërisht kjo skenë me Argosin ishte një nga arsyet kryesore që e shtyu të realizonte filmin.
“Kur arrita te ajo pjesë, u përlota. Ishte një nga arsyet kryesore pse vendosa ta bëja këtë film”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, gazetari i BBC-së i kujtoi Nolanit se edhe aktori Matt Damon, i cili luan rolin e Odiseut, ka një qen me emrin Charlie. Regjisori e priti këtë rastësi me humor duke thënë: “Ishte e shkruar”.
“The Odyssey” pritet të jetë një nga projektet më të mëdha të Nolanit, ndërsa historia e një qeni besnik ka marrë një vend të veçantë në frymëzimin personal të regjisorit.


